Melania Trump mbyll web-in. Diskutime nëse ka apo jo diplomë

29/07/2016 00:00

Pas polemikave të shumta që ngjalli, faqja e internetit të Melania Trumpit është hequr, ndërsa bashkëshortja e Donald Trumpit e pranoi se aty kishte disa pasaktësi.

“Kjo faqe interneti është krijuar në vitin 2012, – shpjegoi ajo në Twitter, – dhe tashmë është fshirë pasi nuk pasqyronte me saktësi të plotë interesat e mira profesionale dhe natyrën e punës sime”.

Melania nuk dha sqarime të mëtejshme, e as nuk i përmendi cilat ishin pasaktësitë në fjalë. Por në faqen e saj të internetit pretendohej se ishte diplomuar në Slloveni, në një kohë kur biografia e jetës së asaj që mund të bëhet “Zonjë e Parë” e Amerikës thotë se, 46-vjeçarja kishte hequr dorë nga shkolla për t’u përqëndruar te karriera si modele.

Faqja e internetit specifikonte se, pasi kishte marrë diplomën në degën e Dizajnit dhe Arkitekturës, Melania kishte nisur seancat e fotografive si modele në Paris e Milano, përpara se të vendosej përfundimisht në Nju Jork në vitin 1996.

Vetëm pak ditë më parë, e shoqja e miliarderit njujorkez u akuzua për plagjiaturë, pasi disa pjesë të fjalimit të saj ngjasonin shumë me fjalën e mbajtur nga Michelle Obama në vitin 2008, gjatë Konventës së atëhershme demokrate.

Top Channel