Shefja e OBSH-së do të shkojë në Rio: Rreziku nga “Zika”, më i ulët

29/07/2016 00:00

Një javë përpara fillimit të Lojërave Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit, drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se rreziku i infektimit nga virusi “Zika” është ulur dhe sot konsiderohet më i menaxhueshëm.

Brazili ishte vendi i goditur më rëndë nga shpërthimi epidemik, e një numër i madh konkurrentësh, mjekësh, shoqëruesish e vizitorësh e kanë shprehur hapur shqetësimin se mund të infektohen vet e të kthehen dhe në katalizatorë të përhapjes së virusit në mbarë botën.

Përpara reporterëve në Pekin, Chan tha se përfundimet e OBSH-së mbështeten në të dhënat më të fundit të sëmundjes dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria braziljane.

“Ne vërejmë se rreziku i infektimit nga ‘Zika’ është sot më i ulët dhe më i kontrollueshëm, përsa kohë individët marrin masa personale mbrojtëse, përfshirë këtu përdorimin e sprajtit kundër mushkonjave, apo veshje që nuk depërtohen nga pickimi i tyre. Së fundi kemi mësuar se nuk janë vetëm meshkujt, që mund t’ia kalojnë sëmundjen partneres, por kjo mund të ndodhë edhe me femrat. Pra kalimi mund të bëhet nga të dyja drejtimet. Është e rëndësishme të bëjmë dhe vet një vlerësim të rrezikut. Meqë ra fjala, unë po bëhem gati të nisem drejt Rios për të ndjekur Lojërat Olimpike”, tha Margaret Chan, drejtoreshë e OBSH-së.

Rreth 500 mijë vizitorë pritet të udhëtojnë drejt Brazilit për këto lojëra. Shumë prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet e shëndetësisë në të gjithë botën po garojnë mes tyre për ta kuptuar më mirë “Zikën” e përhapur deri tani në disa shtete të Amerikës Jugore.

Top Channel