Nga Dardha në Rio. Me Luiza Gegën në male, ku stërvitet deri në minutën e fundit

29/07/2016 00:00

Në pistën e skive në Dardhë të Korçës, në një lartësi rreth 1600 metra mbi nivelin e detit, prej mëse dy javësh këtu ndodhet nënkampionia e Europës Luiza Gega.

Sigurisht, këtu nuk ka një pistë atletike edhe pse mirë do të ishte, por ka një arsye madhore se përse Luiza ndodhet këtu, përmirësimin e parametrave biologjik në mënyrë natyrale.

“Lartësia i ndihmon shumë atletët për rritjen e përformamcës sportive, duke rritur parametrat biologjik. Së pari, atletët duke u stërvitur në vështirësi e kanë shumë më të lehtë më pas kur zbresin nga lartësia. Niveli 1600 metra, ku ndodhem së bashku me Luizën, niveli i oksigjenit mund të jetë diku te 15% në një metër/kub, ndërsa në ultësirë është 21%. Kjo do të thotë se sportisti është në nivele 33% më pak oksigjen se ultësira. Përveç kësaj, duke qenë se organizmi fillon të kërkojë oksigjen më tepër, shtylla kurrizore fillon të prodhojë rruaza të kuqe më tepër se normalisht. Këto rruaza të kuqe përmbajnë hemoglobinë, që është edhe transmetuesi kryesor i oksigjenit”, shprehet Taulant Stërmasi, trajner atletike.

Çdo ditë, ashtu si edhe përpara Kampionatit Europian, Luiza Gega, së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi zbatojnë një program rigoroz prag olimpiade. Ashtu siç thotë vet trajneri, është vështirë që për një afat kaq të shkurtër grumbullimi, për të mos folur edhe për kushtet, të përgatisësh një sportiste që pretendon të jetë mes finalisteve të Olimpiadës.

“Përgjithësisht stërvitjet e paradites janë stërvitje aerobike, të distancës së lartë. Vrapohet gjatë, me ritme relativisht të ngadalta, por kjo varet edhe nga stërvitja.  Stërvitja zhvillohet në rrugën e Arrëzit, që është në një nivel 1500 metra mbi nivelin e detit. Terreni nuk është edhe shumë i përshtatshëm, por është më i drejti i mundshëm. Kulmimi i stërvitjes së pasdite, ku në 80% të rasteve është në stadiumin e Korçës”, thotë trajneri i Luizës.

Nëse Luiza u rendit në vendin e dytë në Europianin e Holandës, pas atletes gjermane, një nga problemet kryesore trajneri ja atribuon ndryshimit të disiplinës sportive.

Tashmë garës së gjysmëdistancës, që ajo ka garuar gjithmonë, i janë shtuar edhe pengesat. Pikërisht përmirësimi i teknikës së kapërcimit të pengesës është synimi kryesorë që sipas trajnerit të saj Stërmasi, do t’i japë mundësinë të rikuperojë disa sekonda, por për momentin stërvitja e pengesës është rralluar për shkak të një dëmtimi.

“Kam një shqetësim të vogël në tendinë. Kjo ishte direkt pas garës, por nuk është ndonjë gjë për t’u shqetësuar. Thjesht një bezdisje e vogël”, thotë Luiza.

“Shqetësimi i është i vogël, por sa më i vogël të jetë shqetësimi aq më shumë merak duhet të bëhemi”, thotë trajneri Stërmasi.

Në rrjetin social “Facebook”, që është dhe aleati kryesorë i Luizës në karantinën malore, ajo ka publikuar dhe një dëmtim tjetër që pësoi në stërvitjen e një dite më parë.

“Nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Thash vetëm pse duhet të ndodhte këto ditë. Jo, jam shumë mirë. Thjesht një gërvishtje që besoj nesër nuk do ta ndjej farë”, sqaron Luiza.

Edhe pse udhëheqësit e delegacionit të Olimpiadës, Luiza Gega flamurtarja jonë dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi, do të udhëtojnë më 4 gusht për në Rio, një ditë përpara ceremonisë hapëse të olimpiadës, me objektivin e vetëm shfrytëzimin në maksimum të stërvitjes malore, sepse objektivat që kanë, janë të niveleve maksimale.

“Synimi është të futem në finale. Prandaj vendosa t’i shtyjë ditët e nisjes, vetëm që të jem pak më e freskët për finale”, thotë Gega.

“Objektivi është që Luiza të vrapojë poshtë 9’ 20’. Kjo do të thotë që të jetë në 5 vendet e para të botës”, thotë trajneri. 

Top Channel