Itali, “Monte dei Paschi” mendon për ofertat e shpëtimit

29/07/2016 00:00

Italia pret rezultatet e “stress test”- it të bankave të saj nga Autoriteti europian Bankar, që ka marrë në shqyrtim 5 institucionet financiare më të rëndësishme të vendit.

“Monte dei Paschi” pritet sërish të renditet mes performancave më të dobëta, duke ushqyer kështu pasigurinë e investitorëve në mbarë Europën, të cilët druhen se financat e brishta të saj mund të destabilizojnë sistemin bankar të rajonit.

Në lupën e verifikimit të EBA-së janë 51 institucione të mëdha huadhënëse. “Monte dei Paschi”, më e vjetra prej tyre, është ajo që përbën shqetësimin kryesor, si për tregun italian, ashtu dhe për atë europian, bën të ditur “Reuters”.

Ajo ka mbi shpatulla 47 miliardë euro kredi të këqija, niveli më i lartë ky mes të gjitha bankave të kontinentit të vjetër. E kombinuar edhe me rënien e kapitalit, kjo situatë rrezikon të infektojë edhe të tjerët.

Por presidenti i Bordit Mbikëqyrës të “Bankës Popullore të Milanos”, Nicola Rossi nuk pret që “stress test”-i të evidentojë arsye për shqetësime të mëtejshme, sa i takon sistemit bankar italian.

“Mund të ketë një problem të vetëm në këtë sistem dhe të gjithë po bëjnë sa munden për t’u përballur me të, si dhe për të gjetur një zgjidhje. Nuk është një problem sistematik dhe mendoj se në fund, edhe ‘stress test’-i këtë do të tregojë”, tha Nicola Rossi, president i “Bankës Popullore” të Milanos.

“Monte dei Paschi”, sipas tij është rast më vete.

“Them se nuk ishte një veprim i mençur shndërrimi i një problemi të vetëm në një ngërç sistematik. Bankat janë mjaft delikate për t’u menaxhuar dhe duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur merr një çështje që meriton vëmendje dhe e kthen në problem për të gjithë sistemin”, tha më tej Nicola Rossi.

Një ditë përpara publikimit të rezultatit, investitorët blenë 8 miliardë euro nga borxhi i ri i Italisë, të enjten, në atë që konsiderohet si lëvizja më e madhe e këtij lloji që prej vitit 2015.

Top Channel