Gallatë me Donald Trumpin. Yjet mbështesin Hillary Clintonin

29/07/2016 00:00

Ish-basketbollisti Kareem Abdul Jabbar ishte ai që shkaktoi më shumë të qeshura në sallë, kur vuri në lojë Donald Trumpin në fjalimin e mbajtur përpara Konventës demokrate në Filadelfia.

“Përshëndetje të gjithëve. Jam Michael Jordan dhe jam këtu me Hillary Clintonin. Po e them këtë, sepse jam i bindur që Donald Trumpi nuk e bën dallimin”, tha Kareem Abdul Jabbar, ish-basketbollist.

Abdul-Jabbar ishte një prej disa personave që morën fjalën në Kuvend e akuzuan kandidatin republikan për pandjeshmëri racore dhe diskriminim fetar.

Thirrja e miliarderit për ndalimin e emigrantëve myslimane është shkelje e ndarjes së kishës nga shteti, ashtu siç e kishin përfytyruar etërit e kombit, shtoi ai.

Aktori Ted Danson dhe e shoqja, Mary Steenburgen, ndanë me të pranishmit momente pikante nga miqësia e tyre e gjatë me Hillary dhe Bill Clinton, ndërsa ylli në rritje i Hollivudit, Grace Moretz i tha turmës se këtë nëntor “do të votoj për të parën herë në zgjedhjet presidenciale e jam tepër e entuziasmuar që mund ta them hapur se, vota ime e parë për një kryetar të shtetit tonë do të jetë për Hillary Clintonin”.

Mbështetësja e hershme e ish-Sekretares së Shtetit, Katy Perry performoi në skenë hitin e saj “Roar” dhe e ftoi pas kësaj audiencën të hungërinte për Hillaryn. Pati edhe të tjera performanca muzikore pas saj, si ajo e Carol King që këndoi “You’ve got a Friend” dhe e parapëlqyera e Princit, Sheila E, e cila pushtoi skenën me zhurmën e tambureve të grupit “E Family”.

Top Channel