Schweini tërhiqet nga Gjermania, Mourinho “i tregon derën”

29/07/2016 00:00

Bastian Schweinsteiger ka zyrtarizuar tërheqjen e tij nga ekipi kombëtar i Gjermanisë. Pasi vendosi rekordin si futbollisti që ka zhvilluar më shumë ndeshje me Gjermaninë në finalet e kampionateve evropiane dhe i katërti për numër ndeshjesh me përfaqësuesen (pas Matthaus 150, Klose 137 dhe Podolski 129, Schweinsteiger 120) Schweinsteiger ka vendosur që të mos jetë më pjesë e përfaqësues gjermane.

31-vjeçari që u shpall kampion bote në vitin 2014 u bë pjesë e kombëtares gjermane që në vitin 2004, ndërsa këtë verë në finalet e Kampionatit Evropian ai theu edhe rekordin që mbahej nga një tjetër emër i madh, Philip Lahm, për ndeshje të luajtura në finalet e kampionateve evropiane.

“Dëshiroja shumë ta fitoja këtë kampionat që i mungon Gjermanisë që nga viti 1996. Nuk ja dolëm dhe në këto kushte më duhet të pranoj këtë fakt. Fitorja e Kupës së Botës në vitin 2014 është padyshim arritja më e madhe e karrierës time, e papërsëritshme. Në këto kushte është më e drejtë që unë të ndalem këtu dhe t’i uroj më shumë fat për kualifikueset dhe Kupën e Botës 2018 skuadrës”, deklaroi Schweinsteiger.

Që nga viti 2004, Schweinsteiger numëron 120 ndeshje me kombëtaren gjermane, 24 gola, 5 penallti, 18 kartonë të verdhë, një i kuq, një kupë bote, për plot 8985 minuta të luajtura.

Ndërkohë, nuk ka përfunduar këtu. 31-vjeçari që vetëm pak ditë më parë u kurorëzua në martesë me tenisten serbe Ana Ivanovic, rrezikon të largohet edhe nga Manchester United. Ardhja e Paul Pogba mund të bëjë që Mourinho të sakrifikojë pikërisht gjermanin në prag të fillimit të sezonit të ri.

Top Channel