PD: Vlora e mbjellë me drogë; Policia: Pamjet janë të operacionit tonë

29/07/2016 13:05

Partia Demokratike shpërndau disa pamje të marra nga helikopteri mbi luginën e Lumit të Vlorës për të identifikuar disa parcela që, sipas opozitës, janë të mbjella me kanabis.

Partia Demokratike thotë se pjesët e mbjella me bimët në formë të rregullt janë ato me kanabis. Një dëshmi që opozita e përkufizon si një biznes kriminal kombëtar që drejtohet nga ministri i Brendshëm.
 
“30 përqind e fitimit të çdo bime të mbjellë ndahet mes shefave të policisë dhe Tahirit. Ky është pazari që garanton mbjelljen, rritjen, korrjen dhe transportin e drogës. Pamjet janë filmuar pikërisht në zonën e Lumit të Vlorës, aty ku Habilajt e Tahirit kanë kontroll absolut mbi territorin”, tha Sekretari për Aksionin Qytetar i PD-së, Ervin Salianji.

Sipas Partisë Demokratike, përfshirja e ministrit Tahiri si garanci për biznesin e kanabisit është e hershme: “Parcela pa fund që lulëzojnë, që sjellin qindra milionë euro për bandat e trafikantët, për njerëzit e afërt të Tahirit, i cili, përveç shumë garancive të tjera, u dha Habilajve edhe makinën e tij private, taksinë e drogës AA003GB, për t’u siguruar paprekshmëri e semafor jeshil për lëvizjet e tyre”.

Policia e Shtetit mori autorësinë e pamjeve të shfaqura nga Partia Demokratike dhe e konsideroi publikimin e tyre si një jehonë që opozita i bën punës së policisë për luftën e pandërprerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Në reagim thuhet se pamjet i përkasin një dosjeje hetimore, në bazë të së cilës është zhvilluar aksioni për asgjësimin e këtyre bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Policia nuk thotë se kur është kryer filmimi, asgjësimi apo kush janë autorët, por bëri të ditur se ka nisur verifikimet për të zbuluar dhe për të ndjekur penalisht punonjësit që kanë nxjerrë pamjet filmike, të cilat konsiderohen prej policisë si sekret hetimor.

Top Channel