NOVOMATIC, 100% aksioner i Lotarisë Kombëtare

29/07/2016 00:00

Lotaria Kombëtare sh.p.k. ka një aksioner të ri. Bëhet fjalë për NOVOMATIC, grupin udhëheqës të teknologjisë së lojërave të fatit në Evropë, aktualisht i pranishëm dhe me rezultate të provuara në Shqipëri.

Sipas njoftimit për shtyp të Lotarisë Kombëtare, finalizimi i këtij transaksioni është ende në vazhdimësi e sipër dhe është objekt i miratimeve nga Autoritetet rregullatorë përkatës në Shqipëri.

“Ne jemi shumë të kënaqur që me një aksioner të ri dhe të fortë, siç është Grupi NOVOMATIC, do të vazhdojmë të ofrojmë për personat në moshë madhore, produkte të lojërave të fatit që janë të besueshme, të sigurta, cilësore dhe zbavitëse, që shpërndajnë çmime të shumta dhe mundësi të larta fitimi”, tha Peter Simoner, Drejtor Ekzekutiv dhe Administrator i kompanisë Lotaria Kombëtare.

“Ne gjithashtu besojmë fuqishëm në modelin e shëndoshë dhe të qëndrueshëm të lojërave të fatit për të mirën e shoqërisë në të cilën bëjmë pjesë dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare për projekte të ndryshme humanitare si dhe për projekte në fusha të tjera me interes publik në Shqipëri”, tha ai.

Grupi NOVOMATIC është një nga prodhuesit dhe operatorët më të mëdhenj ndërkombëtarë të teknologjive të lojërave të fatit dhe ka të punësuar më shumë se 24 000 punonjës në të gjithë botën. I themeluar nga sipërmarrësi profesor Johann F. Graf në vitin 1980, grupi ka veprimtari në më shumë se 50 vende dhe eksporton pajisje të teknologjisë së lartë elektronike të lojërave të fatit si dhe zgjidhje teknologjike, në 80 vende.
Grupi operon më shumë se 235 000 terminale në mbi 1 600 veprimtaritë e veta të lojërave të fatit si dhe nëpërmjet koncepteve me qira.

Nëpërmjet partnerëve të saj të shumtë ndërkombëtarë, Grupi NOVOMATIC është plotësisht aktiv në të gjitha segmentet e industrisë së lojërave të fatit duke ofruar kështu një portofol të larmishëm produktesh për partnerët e tij dhe klientët në mbarë botën. Kjo gamë produktesh përfshin lojëra dhe shërbime, menaxhim të sistemeve dhe menaxhim të cash-it, zgjidhje për lojëra në internet/celular dhe sociale, si edhe zgjidhje për baste sportive së bashku me një gamë të produkteve dhe shërbimeve të sofistikuara ndihmëse.

Top Channel