Gramsh, urat e dëmtuara izolojnë banorët, Bashkia: Gati projekti

29/07/2016 00:00

Mbi 3 mijë banorë të njësisë administrative Kukur në Bashkinë e Gramshit, izolohen çdo vit për shkak të vërshimit të lumenjve.

Edhe ato ura të cilat kanë ekzistuar dikur, ose janë shembur totalisht, ose bëhen të pakalueshme gjatë vjeshtës. Bashkia e Gramshit e ka të pamundur me fondet e saj të ndërhyjë për ndërtimin e rrugës Gramsh-Kukur, 30 km, por që shtrihet në një terren të vështirë malor.

Për të shmangur izolimin e banorëve këtë vit e mbështetur edhe nga emergjencat civile, bashkia po ndërhyn për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 3 urave.

Përveç mjeteve tip fuoristradë, asnjë mjet tjetër nuk mund të kalojë në këtë aks rrugor, i cili është hapur dikur vetëm për lëvizje të kafshëve të punës.

Bashkia e Gramshit është duke lobuar për të siguruar fondet, mbi 1 milionë euro, pasi ka gati projektin për të ndërhyrë sa më parë në këtë zonë.

Top Channel