PD: Super aferë me portin e ri

29/07/2016 11:40

Partia Demokratike e identifikoi koncesionin në zonën e Karpenit në Kavajë, si një nga aferat më korruptive të tre viteve të qeverisjes së Kryeministrit Rama. 

Koncesioni në një zonë prej 1700 hektarësh është parashikuar të veprojë si një zonë e lirë ekonomike me një port gjigant, termocentral dhe një impiant rigazifikimi me një vlerë investimi 5 miliardë dollarë.

Por Partia Demokratike hodhi dyshime mbi pronarët e vërtetë të koncesionit, sepse siç thotë Jorida Tabaku, kompania britanike që u shpall fituese me një kapital prej 100 pound,  ka ndërruar pronësi.

“Por më e rënda është se kjo kompani, që Edi Rama e bëri pronare të 1700 hektarëve, u shit papritur në Singapor, në një parajsë fiskale atje, vende që vizitohen shpesh nga vëllai i kryeministrit. Nga ana tjetër, qeveria nuk tregon se në cilin plan territorial është mbështetur, në cilin plan zhvillimor është menduar, ku është studimi i feasibilitetit dhe ku është projekti duke shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit”, thotë deputetja.

Partia Demokratike i kërkoi kryeministrit të bëhet transparencë urgjente për këtë projekt, pas të cilit, sipas opozitës, fshihen interesat personale të Edi Ramës.

Top Channel