Alarmi i Kryqit të Kuq për civilët e Alepos

29/07/2016 00:00

Njerëzve që janë lejuar të largohen nga zonat e rrethuara të qytetit sirian Alepo u duhet garantuar mbrojtje. Kështu bënë me dije zyrtarë të Kryqit të Kuq, të cilët gjithashtu thanë se duhen lejuar edhe punonjës të organizata humanitare të ndihmojnë civilët dhe mbi të gjitha të sigurohen se familjet që do të vendosin të largohen të mos ndahen.

Kryqi i Kuq tha se mirëpret lehtësimin e situatës për civilët, por theksoi se largimi i tyre duhet të jetë vullnetar. Sipas kësaj organizate, është nevoja për një armëpushim humanitarë në të gjitha zonat e Alepos ku ka dhunë, në mënyrë që evakuimi të procedojë siç duhet.

Kryqi i Kuq tha se duhen lejuar grupet e ndihmës humanitare që të shkojnë tek familjet siriane dhe të koordinojnë largimin. Një ditë më parë, Rusia, aleati i Sirisë, tha se do të hapë tre korridore evakuimi për civilët dhe rebelët e armatosur dhe një korridor të katërt për rebelët e armatosur.

Rreth 300 mijë civilë kanë mbetur të bllokuar në lindje të Alepos dhe ministri i Jashtëm rus tha se plani i Moskës është një operacion humanitar në shkallë të madhe. Por komuniteti ndërkombëtar e sheh me dyshim këtë lëvizje. Departamenti Amerikan i Shtetit tha se evakuimi i ofruar nga Rusia duket si një përpjekje për të detyruar civilë të largohen dhe rebelët që të dorëzohen.

Edhe kreu i çështjeve humanitare brenda OKB-së Stiven Obrajan tha se nuk ishte i bindur që evakuimi është në interes të atyre në nevojë. Analistët thonë se është e qartë që rebelët e kanë humbur betejën për Alepon dhe qeveria u ka ofruar mundësinë të largohen, ose të vdesin aty, nëse zgjedhin të kundërtën.

Top Channel