Britania frenon planet për centralin bërthamor

29/07/2016 00:00

Planet për të ndërtuar centralin e parë bërthamor britanik pas 20 vitesh pësuan një ndalesë të papritur, pasi qeveria britanike shtyu vendimin final për në vjeshtë.

Kompania franceze EDF, e cila financon pjesën më të madhe të projektit Hinkley Point, me një vlerë prej 18 miliardë stërlina, e miratoi financimin gjatë një mbledhje bordi. Pritej që kontratat të firmoseshin të premten, por ministri britanik i Biznesit, Greg Clark tha se qeveria do ta konsiderojë me shumë kujdes projektin para se të vendosë që ta mbështesë apo jo atë.

Kritikët e projektit thonë se ai do të dëmtojë ambientin dhe paraqet rrezik që të kapërcejë kostot e parashikuara me disa miliarda të tjerë. Ata janë gjithashtu të shqetësuar se centrali bërthamor po ndërtohet nga qeveri të huaja, pasi një e treta e vlerës është siguruar nga investitorë kinezë.

Kompania franceze EDF shpreson që vitin e ardhshëm të ketë 2500 punonjës në central, por ngurrimi i qeverisë së re britanike duket se ka frenuar këto plane. Pritet që centrali i ri bërthamor të sigurojë 7 përqind të energjisë elektrike që i duhet Britanisë së Madhe.

Ekspërtët thonë se qeveria është frenuar pas raporteve të shumta që flasin për kostot e larta që do të ketë prodhimi i energjisë në këtë central, ndërkohë që prodhimi i energjisë elekrike nga burime të rinovueshme po bëhet gjithnjë e më i lirë.

Top Channel