Basha: Ekonomia është zhytur edhe më shumë në krizë

29/07/2016 10:50

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një deklarate për shtyp theksoi se “të dhënat më të fundit zyrtare për 6 mujorin e parë të këtij viti tregojnë se ekonomia eshtë zhytur edhe më shumë në krizë, konsumi ka rënë dhe prodhimi në vend ka rënë”.

“Deficiti tregtar rezulton të jetë 14.4% me i lartë sesa në qershor 2015. Eksportet 6.4% me të ulëta se një vit më parë. Importet në qershor 2016, rezultojne 1.6% me të ulëta krahasuar me muajin paraardhës. Ndërsa në nivel 6-mujor, rezulton se eksportet janë 7.8% më të ulëta sesa eksportet janar-qershor 2015”, thotë Basha.

Sipas tij, “këto janë të dhënat që tregojnë luftën e biznesit për të prodhuar, për të ekzistuar madje, nën tutelën armiqësore e të dhunshme të një qeverie që vetëm rrit taksat, shton gjobat, ngre çmimet e energjisë dhe naftës dhe nuk kryen asnjë punë, asnjë shërbim. Taksat e larta, korrupsioni dhe armiqësia ndaj punës dhe prodhimit, mungesa e besimit dhe i kanë marrë frymën biznesit, duke e detyruar atë të mbyllet, ose të shkurtojë vendet e punës, duke sjellë këto rezultate. Fuqia blerëse është në kuotat më të ulëta historike, për shkak të varfërisë, papunësisë e mungesës së të ardhurave. Kjo është vepra e vërtetë e keqqeverisjes së Edi Ramës prandaj ai rreket me çdo çmim ta heqë debatin nga hallet e vërteta të njerëzve me llomotitjet e konfliktit politik”.

Top Channel