Europa League, Shkëndija një hap larg “play-off”-it

29/07/2016 00:00

Fantastike, e mrekullueshme. Historia thërret, Shkëndija përgjigjet! Nuk është thjesht Shkëndija e Tetovës është Shkëndija e gjithë shqiptarëve, pasi është kjo skuadra që na bën të gjithëve krenarë. Shkëndija e Tetovës dhuroi një mbrëmje magjike në Shkup ku mposhti me rezultatin e pastër 2-0 Mlada Boleslav duke hedhur një hap gjigand drejt “play-off”-it të Europa League.

Sten Junior dhe Hasani me golat e tyre kanë hedhur hapin e parë të tetovarëve drejt “play-off”-it të Europa League. Mbi 13 mijë frymë në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup për t’i dhënë zemër Shkëndijës në misionin e saj Europian, me Akrapovic që e niste me Ibrahimin, Radeskin e Junior në vijën e parë dhe kapitenin “Buba” Hasani që vepronte pas tyre.

Fantastike atmosfera e tifozerisë së zjarrtë shqiptare me Ballistët që ndezën stadiumi dhe fillimi ishte i vrullshëm për Shkëndijën rast i shkëlqyer për Todorovskin që në minutën e 5-të, por Divis shpëton portën e tij.

Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura dhe në të 51-ën çekët tentojnë me Chramostan të futur në lojë pas pushimit por Zahov është gati dhe vetëm një minutë më vonë marrin një goditje të rëndë, pasi Ferhan Hasani shkon drejt portës në një kundërsulm të shpejtë dhe Hulka detyrohet ta ndalë me faull, i padiskutueshëm kartoni i kuq me Hasanin të fundit që shkonte drejt portës.

Shkëndija në superioretet numerik dhe ky është një shans që kuqezinjtë e shfrytëzojnë më së miri. Hasani tenton me një goditje që shkon sipër traversës në të 56-ën, nuk ja del këtë herë por në të 69-ën është fantastik në vertikalizimin që çan mbrojtjen e çekëve, Juffo inteligjent kalon topin te Sten Junior që shënon golin e avantazhit.

Festim me shqiponjë për brazilianin në atmosferën fantastike, “Filipi i Dytë” i Shkupit ju përket shqiptarëve, janë ata që festojnë këtë gol fantastik. Emocione të jashtëzakonshme.

Shkëndija gjithsesi nuk mjaftohet, luan sërish përpara në kërkim të golit të sigurisë që e gjen në të 75 kur shënon ai, idhulli dhe benjamini i tifozëve, kapiteni Ferhan “Buba” Hasani. 2-0 për Shkëndijën e Tetovës me vulën e vendosur nga kapiteni, lideri i skuadrës dhe lojtari më i dashur i tifozëve, festojnë Ballistët por edhe gjithë shqiptaria që gjen krenari te kjo skuadër, domethenëse edhe prezenca e Plisave të Prishtinës në stadium me Shkëndijën që në fushën e blertë falë epërsisë numerike komandon lojën dhe mbyllet 2-0.

Një fitore fantastike, Shkëndijës i duhet të menaxhojë këtë rezultat në Boleslav në takimin e kthimit në mënyrë që ëndërr e mrekullueshme të vazhdojë.

Top Channel