Pas May, edhe Johnson në Paris: Duam bashkëpunim

28/07/2016 00:00

Pas Theresa May-t, në Paris mbërriti dhe Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson me në thelb të njëjtin mesazh: bashkëpunimin e Francës dhe Anglisë përballë sfidave të ndryshme, ku përfshihet menaxhimi i kufijve dhe çrrenjosja e Shtetit Islamik.

Vota e Britanisë për largim nga BE-ja, sipas tij, nuk duhet të ndikojë në afërsinë mes dy vendeve mike dhe përpjekjeve të tyre të përbashkëta. Në konferencën për shtyp në paris me homologun e tij francez, Johnson u shfaq mjaft i çliruar edhe pse Jean Marc Ayrault nuk ka shumë që e quajti gënjeshtar.

“Shpresoj që të jetë e qartë për të gjithë se edhe pse Mbretëria e Bashkuar votoi për shkëputje nga blloku europian, ne nuk po e lëmë Europën. Ne do të duam të jemi gjithmonë sa më afër aleatëve tanë që të jetë e mundur dhe Francës në veçanti përgjatë gjithë viteve në vijim”, deklaroi Johnson.

Johnson ishte një prej figurave kryesore të kampit kundër qëndrimit të Britanisë në BE. Pas referendumit të 23 qershorit dhe fitores së fushatës për largim, blloku u zhyt në krizë e në kërkim të thelbit të tij. Vendimin e May-t për të vendosur pikërisht këtë figurë kontroverse në krye të diplomacisë, Ayrault e komentoi me tone të ashpra në një radio franceze, ku tha se ish-kryebashkiaku i Londrës kishte gënjyer popullin e vet gjatë fushatës dhe tani, është mbërthyer me shpatulla pas muri.

Asnjëri prej dy politikanëve megjithatë nuk iu referua këtyre komenteve gjatë eventeve në Paris dhe dëshirën e Johnsonit për bashkëpunim, Ayrault e mbështeti plotësisht.

Top Channel