TAP “zbulon” objekte të hershme kulturore

28/07/2016 00:00

Punimet në gjurmët ku kalon gazsjellësi TAP kanë nxjerrë në sipërfaqe objekte paleokristiane në zonën e Polenës, në Çorovodë.

Menjëherë është vënë në djeni Drejtoria Rajonale e Kulturës. Drejtori i kësaj drejtorie, Eugen Kallfani bën me dije se menjëherë pas marjes së këtij informacioni janë ndërprerë punimet  duke marrë masa mbrojtëse në kantier, ku dhe punohej për gazsjellësin TAP.

Objekti i zbuluar u mor me kujdes duke u vendosur në një ambient të sigurtë me roje .Kallfani pohon se specialistët të ASHA dhe të DRKK Berat, të cilët u paraqitën në zyrat e TAP në Çorovodë, mbajnë procesverbalin për transferimin e përkohshëm në Drejtorinë  Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat. Gjetja u përcaktua si një kapitel i një kolone të një monumenti (strukturë me natyrë fetare) kishë, me gjasa e shek.VI të Erës Sonë.

Kapiteli është 40 centimetra i lartë dhe diametri i bazës rrethore 24 centimetra. Baza rrethore ka ruajtur në qendër e saj një gropëzim që shërben për lidhjen me trupin e kolonës me metal të derdhur. Lënda e parë e përdorur për kapitelin është gur gëlqeror cilësor dhe zbukuruar përgjatë trupit me vija të thelluara  që krijojnë tetë figura florale të përsëritura dhe që lidhen në mënyrë harmonike me njera-tjetrën.

“Përmasat, format dhe zbukurimet e tij sugjerojnë krahasimet relativisht të sigurta me shumicën e monumenteve paleokristiane nga vendi ynë”, sqaron Kallfani.

Ky zbulim në qarkun e Beratit tregon se në këtë zonë ka ende për të zbuluar.

Top Channel