Reforma, Lu: S’fituan partitë, fituan qytetarët

28/07/2016 00:00

Ambasadori Donald Lu është përfshirë në debatin politik se fitorja e kujt ishte miratimi i reformës në drejtësi të premten e kaluar.

Duke folur në takimin “Reforma në drejtësi; sfida e së sotmes, garancia e së ardhmes”, organizuar në Pallatin e Brigadave nga kryetari i Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj, ndryshe nga politika, ai gjeti një tjetër fitues; popullin shqiptarë.

“Fitorja e kujt ishte votimi i së premtes së kaluar? Fitore e partive? Medias? Komunitetit ndërkombëtar apo individualisht e deputetëve? Unë e di se kush e meriton nderimin dhe ai i takon një grupi njerëzish që nuk janë sot këtu. U takon miqve tuaj, komshinjve tuaj, popullit shqiptar. Kam folur me dhjetra deputetë së fundmi dhe secili më tha që donin ta votonin këtë reformë me patjetër sepse nëse nuk do ta bënin kishin frikë nga njerëzit e vetë. Sa prej nesh janë ndaluar nga njerëz të zakonshëm në rrugë për të na thënë që e kërkonin këtë reformë?”, deklaroi Lu.

Rezistenca kundër reformës, tha ambasadori ishte e vërtetë dhe miratimi i saj pati herontjë dhe antiheronjtë e saj, por asnjë prej tyre, shtoi ambasadori, nuk është më i fuqishëm se zëri i qytetarëve shqiptarë.

“Me qindra qytetarë janë mbledhur para Kuvendit me pankarta në duar që kërkonin reformën, ndërsa përpara tyre kalonin Mercedesat dhe BMË me ajër të kondicionuar. Jam i kënaqur që udhëheqësit politikë e dëgjuan këtë zë. Rezistenca ndaj kësaj reforme ishte e vërtetë”, u shpreh ai.

Krydiplomati amerikan, një ndër protagonistët kryesorë të reformës, është i vetëdijshëm se vetëm miratimi nuk mjafton.

“Shpresoj që udhëheqësit do të përmbushin zotimin e tyre ndaj popullit shqiptar duke zbatuar plotësisht këtë reformë. Demokraci e vërtëtë ëshë ajo ku udhëheqësit dëgjojnë vullnetin e popullit”, mbylli fjalën e tij, Donald Lu.

Top Channel