A do ta trajtonit dot Bill Clintonin si “Zonjë e Parë”?

28/07/2016 00:00

Bill Clinton u bë të martën i pari mashkull që mbështet bashkëshorten e tij në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë, pas nominimit nga një prej forcave kryesore politike në vend.

Por amerikanët tani i mundon një pyetje e thjeshtë: Si do të quhet ai, nëse Hillary bëhet Presidente?

Kryetarët e shtetit amerikan kanë qenë të gjithë meshkuj, ndaj kjo çështje nuk ishte shtruar ndonjëherë në diskutim.

Titulli i bashkëshorteve të tyre ka qenë “Zonja e Parë”. Bill mbase mund të quhet “Zotëria i Parë”. Por edhe kjo mund të mos jetë aq e thjeshtë, sepse ai është njëkohësisht edhe ish-president.

“Është pak e komplikuar në fakt, – ishte shprehur vet Hillary gjatë një interviste për Jimmy Kimmel në muajin nëntor. – Sepse ish-presidentët, njerëzit vazhdojnë t’i thërrasin ‘Zoti President’. Duhet gjetur një zgjidhje për këtë”.

Mes luhatjeve nëse titulli duhej të ishte “Shoku i parë”, apo e thënë me shaka “Tipi i parë”, më në fund duket se vendosi të qëndronte tek ideja e “Zotërisë së Parë”.

“Ia kam thënë tim shoqi se po të jem presidente dhe ai të jetë Zotëria i Parë, do të sigurohem që edhe ai të punojë për t’u siguruar që vendet e punës të shtohen e të ardhurat të rriten”, tha ish-Sekretarja e Shtetit gjatë një mitingu fushate në muajin maj, në Kentucky.

Vet Bill Clinton e ka marrë këtë situatë me mjaft sportivitet. Gjatë një tubimi në Kaliforni muajin e kaluar, ai vuri re mes publikut një burrë që mbante veshur një bluzë, ku shkruhej: Bill Clintonin për “Zonjë të Parë”.

“Asgjë s’do të më bënte më të lumtur sesa veshja e asaj bluze”, tha ish-presidenti buzagaz. “Kam marrë vendime të vështira gjatë të gjithë jetës sime. Tani dua të ma thotë dikush tjetër se çfarë të bëj. Është fantastike”.

Top Channel