100 vite më parë në Zyrih, një grup artisësh që emigruan për shkak të Luftës së Parë Botërore u mblodhën në një klub, që e quajtën “Cabaret Voltaire”. Nga aty bënë thirrje për veprime revolucionare, që do të shembnin kufijtë që ndanin jetën nga arti.

Ata e quajtën këtë lëvizje “DADA”, si një grupim i ri hipermodern, internacional dhe provokativ. Kjo lëvizje po kremtohet në përvjetorin e saj të 100-të në të gjithë botën dhe në shtator, Tirana do t’i bashkohet këtyre kremtimeve.

“E gjithë veprimtaria jonë titullohet dadaist dhe ka një kuptim të dyfishtë: jo vetëm dadaistët, por edhe dadaja e East-it, (e lindjes), sepse është e para lëvizje që fillon prej Lindjes për të mbarsur Perëndimin. Karakteristikë tjetër e Dadës që ne duam ta sjellim në Shqipëri, është pikërisht theksimi i elementit migrator, emigrimi drejt Europës. Pra ata po vijnë për të provokuar një luftë të re”, tha Arian Leka, shkrimtar.

Por, ndërsa 100 vite më parë “Dadaizmi” kishte si qëllim çlirimin nga gjithçka konformizmi apo kompromisi, sot cili është qëllimi i asaj që kremton Dada?

“Në Shqipëri ndodh për herë të parë në 100 vite, sepse dadaizmi ka qenë i penguar. Dhe të mos harrojmë se dadaizmi i parapriu surrealizmit. Është pikërisht për t’i treguar vetes dhe botës, këtë surrealizëm dhe këtë dadaizëm që ndodhi në Shqipëri”, shprehet më tej shkrimtari Leka.

Kjo ftesë për dalldisje artistike është edhe një ftesë për shëtitje të shfrenuar. Për të qenë anti dhe për të shembur mure. Por edhe për për të ndërtuar diçka të re.

Top Channel