Hetimet për zjarrvënien në spital

28/07/2016 00:00

Prokuroria e Tiranës po heton ngjarjen në pavionin e hemodializës, ku pas një zjarrvënie të qëllimshme humbën jetën katër persona.

Sipas Prokurorisë ka dyshime të ketë ndodhur pas një grindjeje mes dy pacientëve për shkak të radhës.

Një burim pranë prokurorisë së kryeqytetit,  i tha Top Channel se nga materialet e administruara për llogari të hetimeve, rezulton se dëshmitarët kanë treguar se mes dy pacientëve ka patur një debat të fortë.

Nga Prokuroria thuhet kjo, por burime nga vendi i ngjarjes thonë për Top Channel se në fakt sherri mund të ketë qenë edhe më i çuditshëm. Duke qëndruar për një kohë të gjatë në sallë gjatë dializës, mes Lefter Canajt dhe Dashamir Saraçit ka nisur një debat me tone të larta për çështje politike, debat që ka degjeneruar në sharje personale dhe që ka nxitur Lefter Canajn që të rikthehej në pavion me shishen e benzinës të maskuar si shishe uji dhe të shkaktojë tragjedinë.

Top Channel