Vettel e Nowitzki, ndeshje futbolli për Schumacherin

28/07/2016 00:00

Stadiumi i Mainzit, “Coface Arena” priti një ndeshje miqësore të veçantë. “Champions For Charity”, një sfidë kjo dedikuar legjendës së Formulës 1, Michael Schumacher.

Dirk Nowitzki dhe Sebastian Vettel ishin kapitenët e skuadrave që zhvilluan këtë përballje mes “Kombëtares së Pilotëve” dhe “Nowitzki All Star”, me këtë të fundit që fitoi me rezultatin 9-6.

Ishte një ndeshje, zhvillimin e së cilës familja Schumacher e kërkoi me ngulm për të falënderuar tifozët, që vazhdojnë të jenë pranë kampionit të madh të Formulës 1. Në këtë ndeshje ishin të pranishëm edhe Miroslav Klose, i grumbulluar në skuadrën e “Pilotëve”, si dhe Lukas Podolski, pjesë e “Nowitzki All Star”.

Ashtu siç ndodh shpesh në ndeshje të tilla bamirësie, humori, harmonia dhe golat e shumtë janë ato që dominojnë, ndaj dhe kjo sfidë nuk përbënte asnjë përjashtim.

Sebastian Vettel arriti të shënojë edhe një gol, pikërisht atë që e çoi rezultatin në 4-2 për skuadrën e Nowitzkit. Por kulmi i argëtimit të kësaj ndeshjeje ishte në momentin kur rezultati ishte 9-5, me Nowitzkin që mori përsipër të ekzekutonte një 11-metërsh.

Ylli i NBA-së vendosi të imitojë penalltinë e Zazas në “Euro 2016”, por në fund rezultati ishte si ai i sulmuesit italian, topi i gjuajtur prej basketbollistit përfundoi mbi tranversën e portës së “Pilotëve”.

Top Channel