Papa, kritika qeverisë polake: Pranoni të dëshpëruarit që ikin nga lufta e dhuna

28/07/2016 00:00

Gjatë ndalesës në Krakov të Polonisë, Papa Françesku u tërhoqi vërejtje udhëheqësve të vendit, e kritikoi politikat e azilit të qeverisë nacional-konservatore të Polonisë.

Varshava i ka bërë rezistencë deri tani linjës së BE-së ndaj refugjatëve. Ajo që Ati i Shenjtë kërkoi nga polakët ishte gatishmëri për të pranuar njerëz, që iu largohen luftrave e urisë.

“Atyrë që u privohen të drejtat themelore të tyre u nevojitet solidaritet”, tha kreu i Kishës Katolike, duke dhënë edhe këshilla për avancimin e formave të bashkëpunimit në nivelin ndërkombëtar me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktet e luftrat.

Rrugës për në Krakov, ai u shpreh se bota është në luftë, pasi ajo ka humbur paqen. “E kur flas për luftë, – tha Ati i Shenjtë, – nuk kam parasysh atë të besimeve, por luftën për parà, interesa e burime”.

Në përkujtim të viktimave të saj, përfshirë këtu priftin e vrarë në Francë, ai shtoi:

“Edhe sa të krishterë të tjerë do të humbasin kështu, sa të pafajshëm e fëmijë?”.

Për shkak të rrezikut nga terrori, Dita botërore e Rinisë sivjet zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Më shumë se 30 mijë forca të policisë, zjarrfikës, truproja kufitare dhe shërbime sekrete janë mobilizuar në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme polake.

Ndalesa e Françeskut nuk kaloi sidoqoftë pa incidente, edhe pse jo të natyrës së sigurisë. Papa 79-vjeçar pati një incident të vogël, teksa u pengua e ra në altar, për t’u ngritur sërish me pak ndihmë për të vazhduar kremtimet liturgjike.

Top Channel