Rrjeti i ri i ujësjellësit, Veliaj: Dyfishojmë kohën e furnizimit me ujë

28/07/2016 00:00

Janë plot 5 mijë banorë të zonës së Doganës në kryeqytet, që do të përfitojnë nga investimi më i fundit i Bashkisë së Tiranës për riparimin e rrjetit të ujësjellësit nëpër rrugët “29 Nëntori”, “Zografët” dhe “Teodor Keko”. Investim ky që kryhet paralelisht me atë te “Rruga e Elbasanit” dhe në rrugën “Shefqet Kuka”.

Punimet e Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës janë inspektuar nga vet kryesbashkiaku mbrëmjen e së mërkurës, të cilat kryhen në funksion të urbanizimit të zonës në fjalë.

“Mundohemi të shfrytëzojmë punën gjatë natës dhe në pushimet e verës, për të shmangur rëndimin e trafikut dhe telashet për qytetarët. Kjo zonë përgjatë Unazës së Re dhe mbikalimit të Kamzës është një kryesisht informale, e cila është zhvilluar pas viteve ’90. Të gjithë e dimë se legalizimi nuk ka kuptim pa urbanizim. Por, që dikush të quhet se jeton në qytet duhet të ketë energji elektrike, ujë, rrugë e infrastrukturë. Kjo është arsyeja pse i kemi kombinuar të tre këto përpjekje, që rrjeti i energjetikës, ai i ujësjellësit dhe ai i rrugëve e rrugicave që lidhin këtë lagje me 5 mijë banorë, të funksionojë në mënyrë paralele në investime”, tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se, falë këtij investimi, synohet që edhe në këtë zonë të dyfishohet orari i furnizimit me ujë të pijshëm i familjeve dhe bizneseve.

“Më vjen mirë që kjo verë, pavarësisht vapës së padurueshme, i gjen këto familje, të cilat sot kanë zero orë ujë, të paktën me 13 orë ujë në ditë. Ju kujtoj se një vit më parë, kur filluam misionin tonë në Bashkinë e Tiranës, Tirana kishte mesatarisht 7-8 orë ujë në ditë, kurse sot ka 12-13 orë. Do të thotë se nga tani e tutje, qytetarët nuk presin autobotin për të mbushur ujë, por tani janë klientë të UKT-së, që shërbehen me dinjitet në varësi të faturës që paguajnë”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, me punën dhe investimet që po realizohen, synimi është që pas 3 vitesh Tirana të shkojë drejt furnizimit me ujë të pijshëm në 24 orë të ditës.

“Nuk është perfekte, por është thuajse dy herë më mirë. Ndaj besoj se nëse do të vijojmë me këtë ritëm, do të shkojmë drejt fundit të mandatit me një Tiranë që do të ketë thuajse 24 orë ujë të pijshëm. Ky është një lajm i mirë për banorët, është mirë edhe për estetikën e qytetit, duke qenë se depozitat tashmë në disa zona kanë filluar të reduktohen. Kjo do të ndihet më shumë kur të jemi në fund të këtij mandati”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj ftoi qytetarët debitorë në pagesën e ujit të pijshëm të përfitojnë nga lehtësirat që ka ofruar UKT-ja, në këmbim të shuarjes së detyrimeve të bartura prej vitesh.

“U bëj thirrje qytetarëve të fillojnë ta paguajnë dhe lehtësia që u ofron UKT-ja është që ta bëjnë këtë me këste. Mjafton të paguajnë 2.000 lekë shtesë në faturën e muajit dhe ne nuk i quajmë më debitorë, nuk u faturojmë më kamatë, por i trajtojmë si qytetarë që po përfitojnë nga një ofertë, ku borxhin e paguajnë pak e nga pak”, përfundoi Veliaj.

Top Channel