Siguria e gazsjellësit TAP, MM kërkon për mina në terren

28/07/2016 00:00

Prej 10 ditësh kompania OED ka nisur një operacion për pastrimin e zonës ku do të kalojë projekti TAP. Operacioni ka nisur nga fshati Seman për të përfunduar në Korçë, ka një gjatësi prej 211 km dhe gjerësi 40 metra dhe përmes detektorëve metalikë synohet të bëhet spastrimi në terren nga municionet e paplasura.

Në brendësi të terrortorit shqiptar nuk ka zonë të minuar, por gazsjellësi TAP kërkon siguri absolute. Ndaj gjurma ku do të shtrihet tubacioni i gazit po kontrollohet deri në 6 metra thellësi. Deri tani janë kontrolluar 5 kilometrat e para.

“Do e bëjmë këtë punë në terren deri në përfundim të plotë të këtij projekti. Nuk mund të them një afat të përcaktuar se kur mund të përfundojë por ne do mundohemi që ta plotësojmë Brenda afateve. Nuk ka sens që të pritet të përfundojë i gjithë projekti dhe më pas të vazhdohet puna nga kompania për ndërtim. Ne do të përfundojmë disa km të caktuara, pas përfundimit do të certifikohen, pas certifikimit kompania ndërtuese do të vazhdojë punën për ndërtimin e TAP-it ndërsa ne do vazhdojmë me km e radhës”, shprehet Eduard Kaloshi, komandant i operacionit.

Por sa i rrezikshëm mund të jetë ky operacion?

“Kemi procedurat tona për pastrimin e  këtyre zonave. Nëqoftëse ndiqen procedurat, s’do ketë asnjë lloj rreziku”, thotë Kaloshi.

Vetë kompania e kontraktuar për ndërtimin e projektit TAP e ka bërë më herët një kontroll të zonave duke krijuar edhe një hartë për pikat më të rrezikshme apo më pak të rrezikshme por tashmë EOD bën kontrollin e terrenit, deri në thellësinë 6 metra nëntokë. Deri tani nuk është gjetur asnjë minë apo mjetë tjetër që mund të konsiderohet i rrezikshëm.

Top Channel