Siri, Rusia njofton ndërmarrjen e një operacioni humanitar në Aleppo

28/07/2016 00:00

Rusia dhe qeveria siriane do të hapin korridoret humanitare në qytetin e përgjakur sirian të Aleppos, ndërkohë që kanë lënë të hapur edhe një mundësi për luftëtarët e opozitës, të cilët duan të dorëzojnë armët. Këtë ka bërë të ditur ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu gjatë kësaj të enjteje.

Njoftimi vjen teksa presidenti sirian, Bashar al-Assad ofroi një amnisti të përgjithshme për rebelët, të cilët do të lënë armët dhe do t’u dorëzohen autoriteteve përgjatë 3 muajve të ardhshme.

Forcat qeveritare siriane dhe trupat ushtarake aleate kanë rrethuar enklavën kryesore të rebelëve në qytetin e Aleppos, duke urdhëruar luftëtarët e tyre të dorëzohen. Grupet humanitare kanë paralajmëruar një katastrofë madhore, nëse rrethimi i pjesëve të qytetit të kontrolluara prej rebelëve do të vijojë në Aleppo.

Rreth 300 mijë banorë janë bllokuar në pjesën lindore të qytetit, nën kontrollin e rebelëve, sipas asaj që bëjnë të ditur Kombet e Bashkuara.

Shoigu, përmes një deklarate të transmetuar mediatikisht, tha se Presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar një “operacion humanitar të shkallës së gjerë”, i cili do të zhvillohet në periferitë e Aleppos për të ndihmuar civilët, sikurse edhe do të lejojë dorëzimin e luftëtarëve, të cilët duan të heqin dorë nga të qenit të armatosur.

“Së bashku me qeverinë siriane, ne do të hapim 3 korridore humanitare në mënyrë që të ndihmojmë civilët e mbajtur peng nga terroristët, por edhe për luftëtarët që duan të dorëzojnë armët”, tha ai gjatë një takimi në Moskë.

Moska mirëpret organizatat ndërkombëtare të ndihmës, të cilat operojnë në Siri, t’i bashkohen operacionit humanitar të udhëhequr nga rusët, shtoi ai. Luftëtarët që duan të dorëzohen do të mund të largohen nga qyteti përmes korridorit verior të qytetit, tha Shoigu.

Ndërkohë Assad la nënshkruar një dekret përmes të cilit ofron amnisti ndaj luftëtarëve të armatosur opozitarë që dorëzohen përgjatë 3 muajve të ardhshëm, si dhe ka urdhëruar lirimin e të gjithë të burgosurve. Dekreti, i cili është publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve “SANA”, bën të ditur se ata që do të lirojnë pengjet do të përjashtohen nga ndëshkimi.

Assad ka ofruar amnisti disa herë gjatë luftës civile në Siri, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të gjashtë. Oferta shihet gjerësisht nga luftëtarët opozitarë si një reklamim dhe luftë psikologjike ndaj rebelëve.

Më shumë se një çerekmilioni njerëzish kanë humbur jetën, ndërsa me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda dhe jashtë Sirisë që prej marsit të vitit 2011, kur edhe nisi konflikti i armatosur në Siri.

Top Channel