Sulmi në kishën e Francës, identifikohet agresori i dytë

28/07/2016 00:00

Hetuesit francezë kanë identifikuar edhe personin e dytë të përfshirë në vrasjen e një prifti brenda një kishe në Normandi të Francës gjatë së martës. Ai është Abdel Malik Petitjean, 19 vjeç, i po të njëjtës moshë si agresori i parë i identifikuar më herët si Adel Kermiche.

Dyshja e agresorëve u qëlluan për vdekje nga policia jashtë kishës së ndodhur në Saint-Etienne-du-Rouvray, aty ku lanë të vrarë At Jacques Hamel, 86 vjeç, si dhe morën disa pengje.

I ashtuquajturi Shtet Islamik publikoi një video të asaj që pretendon se është premtimi i besnikërisë ndaj grupit xhihadist nga ana e dy agresorëve të vrarë.

“Pas testimeve të ADN-së rezulton se terroristi i dytë të jetë Abdel Malik Nabil Petitjean”, tha një burim nga zyra e prokurorit të Parisit. Petitjean, i ardhur nga Franca lindore, kishte qenë në listën e radikalëve për t’u mbajtur nën vëzhgim. Policia kishte qenë në kërkim të tij për disa ditë përpara sulmit.

Një kartë identiteti që i përkiste Petitjean është gjetur në shtëpinë e Kermiche, por testet e ADN-së ishin të nevojshme, për shkak se trupi i tij ishte shpërfytyruar nga të shtënat e policisë.

Një korrespondent i BBC-së në Paris thotë se ka mësuar që Petitjean kishte qenë subjekt i një paralajmërimi të marrë nga autoritetet franceze të premten e kaluar, nga një agjenci e huaj inteligjence, emri i së cilës nuk është specifikuar. Ky paralajmërim nënkupton se agresori ishte duke përgatitur një sulm në ditët e ardhshme.

Kermiche ka qenë nën monitorimin e policisë dhe mbante në këmbë një byzylyk elektronik, në momëntin e sulmit në kishë. Ai ishte arrestuar dy herë gjatë vitit të kaluar për shkak se ishte përpjekur të shkonte në Siri.

Dy agresorët mësynë kishën në Saint-Etienne-du-Rouvray, një periferi e Rouenit, gjatë meshës së mëngjesit të së martës. Ata i prenë fytin priftit, përpara se të vriteshin nga policia. Njëri prej 4 pengjeve në këtë situatë terrori ishte një famulltar i moshuar, i cili gjithashtu ka mbetur i plagosur nga disa gjuajtje me thikë.

Prokurori Francois Molins bëri të ditur se agresorët mbanin me vete një “pajisje të rreme shpërthyese, të mbuluar me letër alumini”, sikurse edhe disa armë dore në momentin që hynë në kishën katolike.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel