Rama: Konsensusi i opozitës erdhi kur u ça muri shurdh i SHQUP-it

27/07/2016 00:00

Kryeministri Rama ka reaguar për mosmbledhjen e Komisionit të Reformës në Drejtësi me anë të një postimi në “Facebook”. Kryeministri thotë se opozitës po i kërkohet vetëm të bëjë detyrën, por ankohen se një dorë e zezë po prish konsensusin.

“E bojkotuan me muaj të tërë Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe tani thonë s’kemi lexuar as projektligjin e Vetingut të gjykatësve e të prokurorëve, as 6 ligjet e tjera bazë për fillimin e zbatimit të reformës! Ankohen se një dorë e zezë po prish konsesusin, sepse u kërkohet thjesht të bëjnë detyrën dhe të vijnë në komision për të mbyllur sa më parë ligjin kyç (Vetingun); pa të cilin Brukseli nuk i hap dot rrugë rekomandimit për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë!”, shkruan Rama në “Facebook”.

Kryeministri thotë se edhe konsensusi mbi reformën nga opozita erdhi në momentin kur u siguruan 94 votat e nevojshme.

“Dhe vazhdojnë akuzat qesharake direkte apo të nënkuptuara, kundër një komploti që e paskan shpartalluar me fuqinë imagjinare të një konsensusi, të cilin në fakt e dhanë (kur u ça muri shurdh i Shqupit e ishin bërë 94 votat e nevojshme) mu në zgripin e humnerës së pasojave të rënda, politike e personale, që i prisnin në raport me SHBA e BE, pas 21 korrikut, të gjithë ata që do votonin kundër reformës”, shkruan kryeministri.

Top Channel