“Vetingu” ngec te koha. Xhafaj: Kërkesë e ndërkombëtarëve. PD: respektojmë procedurat

27/07/2016 00:00

Kushtet për të mbledhur Komisionin e Reformës në drejtësi për miratimin e projektligjit të “Veting-u”-t nuk u krijuan as të mërkurën.

“Për momentin po pres që të kem pëlqimin. E para njëherë që të mbyllet drafti”, shprehet Xhafaj.

Pa komision të reformës, nuk mund të ketë as seancë plenare të enjten, por Ilir Meta ka ndërprerë vizitën në Shtetet e Bashkuara.

Zyra e tij njoftoi se zoti Meta, i cili kishte shtruar një darkë konsensuale në Filadelfia, vendosi të kthehej për të sqaruar atë që e quajti “konfuzion të ditëve të fundit, që ka për qëllim prishjen e konsensusit historik për reformën në drejtësi”. Por zoti Xhafaj, jo pa ironi, i tregoi bashkëkryetarit të koalicionit se ku t’i gjejë fajtorët.

“Më vjen keq që PD i ka ndërprerë vizitën zotit Meta për të rivendosur një konsensus që nuk ka nevojë për shumë deklarata, që nuk ka nevojë për shumë pengesa”, shprehet Xhafaj.

Mosmarrëveshjet aktuale lidhen me kohën se kur duhet miratuar projektligji në seancë plenare. Pas dekretimit nga presidenti, qeveria i botoi menjëherë në fletoren zyrtare ndryshimet kushtetuese, të cilat kanë një afat 15 ditor për të hyrë në fuqi.

Në një reagim të mërkurën pasdite, Oerd Bylykbashi e identifikoi këtë afat me respektimin e procedurës kushtetuese për ligjin e “Vetingu”-t, për të cilin tha se u ishte shpërndarë të martën në mbrëmje vonë nga kryetari i komisionit.

“Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus, tani! Opozita po punon për të përmbyllur ligjin e “Veting”-ut, por të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më date 11 gusht, është një gafë që as ai që ka mbaruar juridikun pa shkëputje nga puna dhe natën, nuk e bën. Pra, është provokim politik për konsum mediatik”, shprehet Bylykbashi.

Megjithatë mosmarrëveshjet për kohën, palët mund të shkojnë tek mosmarrëveshja për përmbajtjen e projektligjit, për të cilin Fatmir Xhafaj thotë se mban bashkëautorësinë e partnerëve.

“Është shkruar këtu me ekspertë të përbashkët vendas dhe ndërkombëtarë për çdo normë të tij. Është marrë një pëlqimparaprak nga drejtoria e çështjeve të drejtësisë pranë Komisionit Europian në Bruksel. Pra, është një ligj i mirë parë, për shkak se është edhe një ligj shumë delikat”, thotë Xhafaj.

Top Channel