Porti i Durrësit, turistik. Ekonomi: Mallrat do vendosen në portin e ri në Karpen

27/07/2016 00:00

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Milva Ekonomi shprehet se me ndërtimin e portit të Karpenit në Kavajë, për të cilin sapo kanë nisur negocimet, portet e tjera shqiptare në vend, përfshirë dhe portin e Durrësit do të orientohen drejt turizmit.

“Qeveria shqiptare sa ka kaluar në parlament miratimin e një procedure për këtë investim strategjik. Tre ministri do të ulen së bashku me investitorin propozues të portit. Porti do të jetë një nyje shumë e rëndësishme transporti në Ballkan e më gjerë. E ardhmja e porteve tona në funksion të turizmit”, shprehet Milva Ekonomi.

Ministrja e Ekonomisë e bëri këtë deklaratë ndërsa ndoqi ecurinë e një projekti pilot për hapjen e një shkolle të kualifikimit profesional pranë një kompanie fasonë në Xhafzotaj të Durrësit.

Ekonomi theksoi se nisma të tilla, që mbështeten nga Qeveria çojnë përpara partneritetin mes ndërmarrje shqiptare dhe atyre europiane, duke nxituar kualifikimin e punëkërkuesve të rinj dhe ndikuar në ekonominë e vendit e formalizimin e saj.

“Ky model që u krijua këtu dhe tashmë po merr formën e një projekti nacional do të shtrihet edhe në shkolla të tjera të Shqipërisë. Përhapja e kësaj nisme dhe në biznese të tjera të ekonomisë dhe industrisë së lehtë në vend është një përparësi dhe për Zyrën Austriake për Zhvillim në Shqipëri”, thotë Ekonomi.

Top Channel