“Vetingu”, Basha: Nuk mund të kalojë nesër, është në shkelje të kushtetutës

27/07/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim ka dhënë një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku ka folur për miratimin e reformës në drejtësi dhe për miratimin e ligjit të “Vetingu”-t.

Basha është shprehur se 7 ligjet nuk mund të kalojnë ditën e nesërme pasi, sipas tij, është në shkelje të kushtetutës.

“Nuk mund të kalojnë, sepse këtë e ndalon kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam patur me partnerët amerikanë dhe europianë dhe do të ishte absurd që ata të mbështesnin nisjen e procesit të reformës në drejtësi duke shkelur kushtetutën e vendit, por PD ka shprehur gatishmërinë për të nisur punën me ekspertët për të shqyrtuar për draftin për “Vetingun”, në mënyrë që mos ketë asnjë vonesë në miratimin e ligjit”.

“Projektligji na është vënë në dispozicion mbrëmë vonë dhe do të bëhen publike sugjerimet tona. Nuk mund t’ua them, sepse ekspertët tanë nuk e kanë shqyrtuar ende dhe sapo të ndodhë do të ketë një reagim, – tha kryeopozitari për VOA. – Opozita është e gatshme të sakrifikojë nga ditët e pushimeve zyrtare për reformën, e rëndësishme është që mazhoranca të mos punojë me hile. Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin. PD është e vendosur t’u japë shqiptarëve një reformë sipas standardeve dhe nuk kemi pasur asnjë mëdyshje për reformën në drejtësi”, tha Basha.

Top Channel