“Vetingu”, PD: Opozita, e gatshme të kontribuojë me konsensus

27/07/2016 00:00

Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi, ka reaguar pas deklaratës së Xhafajt për bojkotim të Komisionit nga ana e opozitës, duke e hedhur poshtë këtë gjë.

“Lexova sot një reagim të Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi. Normalisht dikush do të habitej pse ftesa jonë për konsensus i nervozon përfaqësuesit e mazhorancës. Në fakt “pse”-në e kupton kushdo me arsye; thjesht nuk e duan sepse u prish hesapet që nisën me kohë, por që ua prishën Opozita, Komisioni i Venecias, propozimi hibrid i zj. Nuland, letra e Komisionerit Hahn dhe votimi me konsensus me 22 korrik”, shprehet Bylykbashi.

Nënkryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi ka theksuar se përfaqësuesit e opozitës po punojnë me intensitet mbi draftin e shpërndarë vetëm një natë më parë.

“Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus, tani! Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që Kryetari i Komisionit shpërndau vetëm mbrëmë në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje sot. Imagjinoni ç’transparence ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative”.

Opozita po punon për të përmbyllur ligjin e “Vetting”-ut, shprehet Bylykbashi. Ai e cilëson si gafë juridike miratimin e ligjit këtë javë pa hyre në fuqi amendamentet kushtetuese.

“Por të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më datë 11 gusht, është një gafë që as ai që ka mbaruar juridikun pa shkëputje nga puna dhe natën, nuk e bën. Pra është provokim politik për konsum mediatik. Ftesë: durim, gatishmëri për konsensus, vullnet pozitiv dhe respekt i kushtetutës! Sa për kujtese, komisioni ka 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, pra është histori konsensusi dhe jo protagonizmi kryetaresh”, mbyllet deklarata e Bylykbashit.

Top Channel