Korruptimi i gjykatëses së lartë, sekuestro preventive llogarive të bashkëshortit

27/07/2016 00:00

Bashkëshorti i gjykatëses së lartë Majlinda Andrea nuk ndodhet në Shqipëri, pasi u lagua pak orë pasi ndaj tij të vendosej masa e arrestit pasi kishte ndikuar në marrjen e ryshfetit nga bashkëshortja. Por, në Tiranë prokuroria ka identifikuar disa llogari bankare të tij dhe gjykata vendosi sekuestron preventive ndaj tyre.

Gjykata e Lartë vendosi sekuestro preventive ndaj llogarive bankare që i përkasin Odhise Andreas, bashkëshort i gjyqtares së kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e pezulluar nga detyra më herët për dyshimet e korrupsionit.

Vendimi u shpall  pas një kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme, që identifikoi llogari bankare në dy banka të nivelit të dytë në shumën prej 50 mijë eurosh, e njëjtë me shumën e përfolur në përgjime gjatë aferës korruptive që përfshiu edhe gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea.

Prokuroria, më herët deklaroi se ka nisur hetimin pasuror ndaj çiftit Andrea, përkrah atyre për korrupsion që ka të implikuar edhe tre persona të tjerë. Ende nuk është thirrur për t’u pyetur gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea, e cila u kthye në Shqipëri pak orë pasi kishte dalë në mënyrë të beftë përmes Portit të Durrësit dhe e vetmja që ka folur është e dyshuara Eleni Lino.

Gruaja që ndodhet nën “arrest shtëpiak”, ka treguar se si është paguar shuma për të influencuar tek gjyqtarja e lartë, një shumë kjo për të cilën palët në gjyqin civil kishin rënë dakord që secili prej tyre të paguante një kuotë të caktuar për të plotësuar tarifën e 50 mijë eurove.

Aktualisht nën “arrest me burg” ndodhen Petraq Dashi dhe Ilia Cabiri, ndërkohë që bashkëshorti i gjyqtares Odhise Andrea është në kërkim, pasi la vendin bashkë me bashkëshorten-gjykatëse, pak orë para shpalljes së vendimit të arrestit ndaj tij.

Top Channel