PD: Do të anulojmë koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës

27/07/2016 00:00

Partia Demokratike e cilësoi një aferë të pastër koncesionin për mirëmbajtjen e segmentit Durrës-Kukës.

Deputetja Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se vendosi tarifën për çdokënd që do të kalojë në këtë rrugë, 33% më shumë sesa kërkoi ekspertiza përkatëse.

Shtuar kësaj, qeveria – thotë Tabaku, – do t’i subvencionojë kompanisë 5.6 milionë euro në vit, gjë që shndërrohet në një barrë të rëndë për të gjithë shqiptarët, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do e anulojë koncesionin sapo të vijë në qeveri.

Ja deklarata e plotë e Tabakut.

Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. 10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit. 5 euro në vajtje e 5 euro në kthim.

Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 përqind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët.

Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën.

Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se cmimi i maksimal sugjeruar nga ekspertët! Një aferë e pastër me miliona euro cdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo, shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro cdo vit që do të japë shteti.

Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për cfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?!

Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shterruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet shqiptare.

Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anullojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre.

Top Channel