PD, Kaso: Në Kavajë vijon sundimin banda e Rroshit

27/07/2016 00:00

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së, sekretarit demokrat për Zgjedhjet, Ivi Kaso ka denoncuar atë që e konsideron si sundim të bandave në qytetin e Kavajës, duke sjellë në vëmendje një sulm të ditës së djeshme ndaj një qytetari nga, – siç thotë ai, – banda e Rroshit.

Kjo, për shkak se një muaj më parë ai kishte denoncuar dhunën shtazarake të ushtruar nga vëllai i kryebashkiakut të Kavajës, i cili vijon të mbajë këtë post edhe pse u zbulua dënimi i tij në Itali për përdhunim.

“Edi Rama vazhdon ta mbajë të vërsulur ndaj qytetarëve bandën kriminale të Elvis Rroshit në Kavajë. Qytetari Julian Kola është dhunuar në ambientet e OSHEE-së në Kavajë, ku ai kishte shkuar për t’u ankuar mbi një faturim të padrejtë, drejtor i së cilës është vëllai i Rroshit. Dje, e njëjta bandë ka dhunuar sërish këtë qytetar, i cili denoncon publikisht se ushtari i Rroshit e ka goditur edhe brenda furgonit të policisë, edhe në komisariat, ku njerëz me uniformën e shtetit e kanë kërcënuar që të tërhiqet, të mos bëjë kallëzim”, u shpreh Kaso.

Kaso deklaroi gjithashtu se pak javë më parë, kjo bandë e armatosur e Rroshit plagosi në mes të ditës qytetarë të pafajshëm, si dhe kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në këtë qytet.

“Me gjithë këto precedentë e këtë dhunë ndaj qytetarëve, me gjithë këto akte skandaloze që tregojnë se kjo bandë është mbi ligjin, që ka në shërbim të saj policinë e të gjitha zyrat e shtetit, sërish Edi Rama vazhdon ta mbajë e t’i japë pushtet kreut të këtyre banditëve, Elvis Rroshi. Edhe pse e quajti botërisht të mbaruar shërbimin e Rroshit, kur u zbulua dënimi i tij në Itali për përdhunim, Rama në fakt po lejon e po përkrah të gjithë shërbimet kriminale të kësaj bande që sundon në Kavajë”, tha Kaso.

Në vijim të denoncimit të tij, Kaso ngre disa pyetje mbi motivin që e bën Ramën të mos ndahet dot nga këta kriminelë dhe nga kjo bandë e armatosur, me të cilën – siç thotë ai, – ai ndan pushtetin. Sipas tij mund të jenë disa tendera disa milionë euroshe që duhet të firmosë Elvis Rroshi, si ai i përroit të Leshniqës, parà të cilat oligarkia i ndan mes vetes. Sikurse mund të jetë edhe projekti fantazmë i Portit të Karpenit, ku pasuria kombëtare i jepet një firme të sajuar me 100 paund pasuri, e që më pas e tregton sipas qejfit këtë aset të rëndësishëm të vendit.

Në fund, Kaso shprehet: Çfarë po pret Edi Rama të shkarkojë nga detyra banditin e tij, Rroshi? Përgjigjja është e thjeshtë, po pret shërbimet e fundit kriminale, ndarjen e parave dhe të pasurive kombëtare, e për këtë i duhet edhe ca kohë firma e banditit Rroshi.

Top Channel