Rikonstruktohet kopshti në Nj.5, Veliaj: Rritëm cilësinë e shërbimit dhe kapacitetet

27/07/2016 00:00

Bashkia e Tiranës, falë ndihmës së donatorëve ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit Nr. 52 në Njësinë administrative Nr. 5 në kryeqytet, duke e çuar kështu në 12 numrin e kopshteve që ofrojnë kushte dhe standarde më të mira për fëmijët.

Punimet e realizuara në këtë kopsht u inspektuan nga afër nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se, veç cilësisë, këtij kopshti i është rritur edhe kapaciteti i fëmijëve që mund ta frekuentojnë.

“Ky kopësht ndodhet në njësinë më të populluar të Tiranës. Duhet të kuptojmë se, sa më e madhe është njësia, aq më e madhe është nevoja për hapësira të tilla. Më vjen mirë që këtij kopshti jo vetëm i kemi shtuar kapacitetin, jo vetëm kemi modernizuar ambientin e kuzhinës, atelieve, këndin e lojërave, të ngjashëm me këndet që po ndërtojmë pranë çdo kopshti, por mbi të gjitha kemi përmirësuar shërbimin për fëmijët”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj theksoi gjithashtu se bashkia është e vendosur të mbajë premtimin se, kur të nisë sezoni i ri shkollor dhe fëmijët të jenë kthyer nga pushimet, do t’i gjejnë të gjitha kopshtet e kryeqytetit të rikonstruktuara dhe me ambiente të reja, që ofrojnë shërbim më të mirë dhe më të sigurtë.

“Ky është kopshti i 12, nga 23 kopshte që po rikonstruktohen totalisht gjatë kësaj vere. Më vjen mirë që jemi në më shumë se gjysmën e rrugës. Besoj se, deri në fund të pushimeve do të kemi mbaruar edhe me 11 kopshtet e tjera”, u shpreh Veliaj. Ai siguroi prindërit, të cilët për arsye të ndryshme do t’u duhet të punojnë edhe gjatë gushtit, se kopshtet e Tiranës do jenë të hapura për të pritur fëmijët gjatë kësaj periudhe. “Pavarësisht se tradita thotë se kopshtet mbyllen gjatë gushtit, ne do t’i mbajmë hapur, në mënyrë që prindërit që i janë kthyer punës në këtë muaj të kenë ku t’i çojnë fëmijët”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se falë ndërhyrjeve në investime të bashkisë dhe përkushtimit të trupës së edukatorëve, është rritur dhe kërkesa e prindërve për të çuar fëmijët e tyre në kopshtet publike.

Në kopshtin “Mickey Mouse” janë bërë një sërë ndërhyrjesh të brendshme dhe të jashtme, duke filluar nga riparimi i dritareve, dyerve, zëvendësimi i xhamave, etj. Gjithashtu janë bërë ndërhyrje për korrigjimin e këndeve të suvatimit, punime hidraulike dhe në ndriçim. Sa i përket punimeve të jashtme, është ndërhyrë në fasadë, është montuar sistemi i tubave të shkarkimit, duke i dhënë zgjidhje problemit të ruajtjes nga lagështira. Po ashtu janë krijuar puseta për mbledhjen e ujërave sipërfaqësorë të të gjithë sheshit, duke zgjidhur kështu një nga problemet më të mëdha në këtë kopësht.

Top Channel