Ferrari, largohet drejtori teknik Allison. Në vend të tij Mattia Binotto

27/07/2016 00:00

Pas 3 vitesh bashkëpunimi, rrugët mes Ferrarit dhe James Allison ndahen. “Kokëkuqja” italiane, nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri zyrtare largimin e këtij të fundit nga posti i drejtorit teknik të skuderisë, duke njoftuar gjithashtu zëvendësimin e tij në këtë detyrë nga Mattia Binotto, i cili deri më tani ka mbuluar pozicionin e përgjegjësit të repartit të përgatitjes së motorit.

“Duam të falënderojmë Jamesin për punën dhe sakrificën e bërë gjatë kësaj periudhe. I urojmë atij suksese në të ardhmen”, ishte komenti i drejtori të Përgjithshëm të Ferrarit, Maurizio Arrivabene.

Vendimi për largimin e Allison erdhi në një moment kur te Ferrari, pas garës së Hungarisë janë shtuar dyshimet për shkak të mungesës së rezultateve, edhe pse makina ka shënuar përmirësime.

“Në vitet e kaluara te Ferrari, në dy sezone kur kam mbuluar role të ndryshme, kam pasur mundësinë që të njoh dhe të çmoj vlerën e skuadrës dhe stafit të saj, – ishin fjalët e lamtumirës së Allison. – Dua të falënderoj të gjithë për këtë eksperiencë të madhe profesionale të përfituar. U uroj të gjithëve një të ardhme të ndritur”.

Top Channel