Francë, vrasësi i priftit ishte arrestuar dy herë. Tentoi të shkonte në Siri

27/07/2016 00:00

Njëri prej dy personave të dyshuar, si vrasësit e priftit në kishën e Rouenit të martën, ishte nën monitorimin  e policisë, çfarë shpjegon arsyen përse mbante në dorë një byzylyk elektronik.

Adel Kermiche, 19-vjeçar, është arrestuar dy herë vitin që shkoi, ndërsa përpiqej të shkonte në Siri. Së bashku me një person tjetër, ai sulmoi kishën në Saint-Etienne-du-Rouvray në kohën e meshës së mëngjesit, e i prenë fytin priftit 84-vjeçar përpara se të vriteshin nga policia.

Njëri prej 4 pengjeve, një besimtar i moshuar edhe ai, ka marrë plagë të rënda e ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Kryeprokurori Francois Molins shpjegoi se, përpos armëve që mbanin në duar, autorët kishin me vete dhe një mekanizëm të rremë shpërthyes, të mbuluar me një fletë alumini.

Disa prej besimtarëve të ndodhur aty në momentin e sulmit arritën të largoheshin e të njoftonin policinë. Pikërisht për t’i ndaluar kësaj të fundit hyrjen në kishë, agresorët përdoren 3 prej pengjeve si mburoja njerëzore. Në fund, përpara se të vriteshin nga plumbat e efektivëve, që nuk i kishin lënë rrugë shpëtimit, ata thirrën me të madhe: Allahu Akbar!

Shteti Islamik mori më herët përgjegjësinë e ngjarjes, siç ka ndodhur rëndom me rastet e fundit. Banorët e qytetit shprehën tronditje dhe trishtim ndaj vrasjes së At Hamelit. Ata flasin që të gjithë për një prift mjaft të dashur e të përkushtuar ndaj dioqezës së tij.

Humbjen e priftit të shumë respektuar e vajtoi edhe imami i zonës, Mohammed Karabila, i cili e përshkroi si një “njeri që ia kushtoi të gjithë jetën e tij të tjerëve”.

Top Channel