Jordan kundër dhunës në SHBA, dhuron 2 milionë dollarë

27/07/2016 00:00

Legjenda e basketbollit amerikan dhe atij botëror, Michael Jordan ka thyer heshtjen për dhunën e policisë në SHBA dhe bëri të ditur dhurimin e 2 milionë dollarëve për luftën ndaj këtij fenomeni.

“Nuk mund të qëndroj më në heshtje -deklaroi Jordan nëpërmjet një komunikate për media- si një amerikan krenar, një person që humbi babain e tij nga kjo dhunë e pakuptimtë dhe si një njeri me ngjyrë, kam qenë i shqetësuar nga vrasjet e afro-amerikanëve nga zbatuesit e ligjit, por jam edhe i zemëruar nga sjellja e poshtër dhe urrejtja që ka çuar në vrasjen e punonjësve të policisë”.
 
Në 2 vitet e fundit në SHBA ka pasur protesta të shumta për shkak të vrasjes së njerëzve me ngjyrë nga ana e policisë amerikane duke bërë që të rriten ndjeshëm debatet në lidhje me forcat e rendit dhe minoritetet.

Vrasjet e përllogaritura të policëve nga veteranë ushtarakë me ngjyrë që ndodhën këtë muaj kanë rritur akoma me shume zemërimin. Jordan deklaroi se kërkon një trajtim të drejtë nga ana e policisë për njerëzit me ngjyrë, si dhe respekt e mbështetje për policinë.

Jordan vendosi që 1 milion dollarë t’i kalojë në Llogari të Insitutit për Raportet Polici-Komunitet, një organizatë kjo që u krijua në muajin maj. Ndërsa shifra tjetër prej 1 milion dollarëve do të shkojë për grupin e të drejtave civile që lufton për mbrojtjen e njerëzve me ngjyre, NAACP.

Në karrierën e tij si basketbollist, Michael Jordan ka fituar 6 tituj kampion të NBA me Chicago Bulls skuadër me të cilën është aktivizuar në vitet ’80-’90. Në mesin e viteve ’90, ai u tërhoq përkohësisht nga basketbolli pas vrasjes së të atit.

Top Channel