Orban mbështet republikanin Donald Trump

27/07/2016 00:00

Donald Trump duket se ka një mbështes të flaktë në Europë dhe ai është kryeministri hungarez, Viktor Orban. Sipas tij, planet e manjatit të pasurive të patundshme për emigracionin dhe politikën e jashtme janë jetësore për Hungarinë, ndërsa ato të rivales së tij demokrate Hillary Clinton i cilësoi si vdekjeprurëse.

Lideri konservator është i pari udhëheqës europian që shpreh një preferencë për njërin prej dy kandidatëve që do të garojnë kundër njëri-tjetrit në zgjedhjet e nëntorit.

Orban është bërë shpesh shënjestër e kritikave të anëtarëve të tjerë të Unionit, së fundmi për qëndrimin e ashpër ndaj krizës së emigrantëve në Europë, duke kundërshtuar planet e BE për risistemimin e tyre dhe duke ndërtuar një gardh përgjatë kufirit jugor të Hungarisë.

“Mendoj se politika e jashtme e demokratëve është e keqe për Europën dhe vdekjeprurëse për Hungarinë. Ndërsa politika e jashtme dhe ajo e emigracionit të kandidatit republikan Donald Trump është shumë e mirë për kontinentin tonë dhe jetësore për Hungarinë. Ne jemi një vend që e kundërshton emigracionin dhe eksportin e demokracisë kështu është e qartë se nga anojnë interesat e Hungarisë”, deklaroi Orban.

Komentet e kryeministrit hungarez vijnë pas deklaratës kontroverse të biznesmenit njujorkez se do të kushtëzonte ndihmën e dhënë aleatëve të NATO-s në rastin e një agresioni rus, me kontributin që këta të fundit do të jepnin për SHBA-të.

Top Channel