Refugjatët drejt Shqipërisë, policia greke arreston 3 shqiptarë transportues

26/07/2016 00:00

Një kamion me 31 emigrantë klandestinë, me destinacion kufirin shqiptar, është ndaluar pasditen e së martës prej policisë greke, në afërsi të Parkut Kombëtar të Prespës në Follorinë, vetëm pak kilometra larg kufirit shqiptar.

Lajmi bëhet publik prej policisë greke, e cila njofton se brenda kamionit u gjetën 31 emigrantë klandestinë, prej të cilëve 24 emigrantë sirianë dhe 7 nga Afganistani.

Vlen të përmendet se 21 prej emigrantëve janë në moshë të mitur, ndërsa vetëm 10 prej tyre janë në moshë madhore.

Autoritetet dyshojnë se kanë të bëjnë me një linjë të organizuar trafiku drejt Shqipërisë, pasi sipas deklaratave të emigrantëve të ndaluar, ata kishin paguar 1.500-3.000 dollarë për të kaluar tranzit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, e prej andej në Mal të Zi, ku dhe do të kaloheshin ilegalisht në kufirin kroat.

Policia mundi të arrestojë 3 shtetas shqiptarë të moshave 23, 27 dhe 28 vjeç, banorë të fshatrave të Devollit. Tre të arrestuarit do t’i dërgohen Gjykatës së Follorinës, e cila pritet të vendosë masën e sigurisë për ta.

Top Channel