Politika e Merkelit mbi refugjatët, nën presion pas sulmit të katërt në një javë

26/07/2016 00:00

Mbi imazhin rrezatues të Kancelares Angela Merkel në Gjermani kanë rënë shumë hije, veçanërisht gjatë vitit të kaluar për shkak të valës së refugjatëve. Parrulla të tilla si “Merkel duhet të largohet” dëgjohen e lexohen në mbarë vendin, nga përkrahësit e partisë “Alternativa për Gjermaninë” dhe të tjerë kritikë të politikës së dyerve të hapura të Merkelit.

“Disa vite më parë, thirrje të tilla as që mund të imagjinoheshin”, bën të ditur “Deutsche Welle”. Merkel e pagëzoi veten si “Kancelarja e refugjatëve”, çfarë i solli asaj respektin e madh të një pjese të gjermanëve, por shumë të tjerë shkundin kokën prej habisë.

Pikërisht në javët e kaluara, kjo klimë e polarizuar u qetësua disi, pas rënies së numrit të refugjatëve me mbylljen e të ashtuquajturit itinerari ballkanik. Në media, tema e refugjatëve u spostua në radhët e fundit të lajmeve dhe vlerësimet për partinë e Merkelit, CDU, u përmirësuan.

Por sulmet e ditëve të fundit në Gjermani e përmbysën situatën. Ndërsa refugjatët u bënë sërish objekt i kryeartikujve, edhe presioni ndaj kancelares po rritet sërish. Pavarësisht nëse sulmet në Ëurzburg, Mynih, Reutlingen apo Ansbach janë kryer nga refugjatët apo kanë sfond islamik, hetimet janë në vazhdim e sipër.

Por shumë do të jenë ata, që nuk duan dhe as nuk munden ta bëjnë këtë diferencim të nevojshëm. Të huaj, emigrantë, refugjatë, gjermano-iranianë, të gjithë i fusin tani në një kallëp. Mbështetje morale u jep këtyre zgjedhësve partia “AfD”, e cila trumbeton se emigracioni i pakontrolluar nënkupton vetëm rrezik.

Tani pyetja që ngrihet është nëse Merkel do të kandidojë sërish për kancelare në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Sipas analistëve, vendimi i saj do të varet në mënyrë thelbësore prej zhvillimeve të mëtejshme në kompleksitetin e çështjes së refugjatëve.

Një sulm terrorist si ai i Parisit apo Brukselit do ta bënte të pamundur rikandidimin e Merkelit, sipas analistit Kay-Alexander Scholz. Ndërkohë parashikohet një fuqizim i pozitave të “AfD”-së antiemigracion dhe kundër Islamit, madje diferenca me CDU-në e Merkelit pritet të ngushtohet edhe në vendlindjen e kësaj të fundit, Meklenburg-Pomerani.

Top Channel