Marrja e Jarinjes dhe Bërnjakut, Thaçi mbron vendimin e tij: Shoi shpresat e Serbisë

26/07/2016 00:00

Tashmë janë bërë 5 vite, që kur me urdhër të kryeministrit të asaj kohe Hashim Thaçi, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës mori aksionin për t’i vënë nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak. Për këtë ditë dhe për faktin pse e mori atë vendim në atë kohë, ka folur vet Presidenti Hashim Thaçi për “Radio Dukagjinin”.

“Veprimi dhe aksioni i 25 korrikut është i një rëndësie të veçantë, sepse u tregua se Kosova është shtet sovran, shtet që merr vendimet e veta në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet. E përfundimisht sot në ato pika doganore kemi policinë dhe doganierët e Kosovës, si dhe kemi kontrollin nga institucionet e Kosovës. Sot nuk kemi asnjë barrikadë atje dhe kemi lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, vendimi i 25 korrikut të vitit 2011 ka varrosur përgjithmonë pretendimin e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe ka shuar, – sipas tij, – çdo shpresë për çfarëdo lloj autonomie në atë pjesë të Kosovës.

“Në një formë apo një tjetër janë shuar shumë orekse dhe aspirata, e po ashtu edhe projekte të Serbisë për ato pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kemi kaluar në veprime konkrete të aksionit të Kosovës për stabilitet, rend demokratik, demokraci dhe integrim të komunitetit serb. Ai veprim nuk ka qenë i drejtuar kundër komunitetit serb, por ka qenë i drejtuar kundër strukturave paralele dhe paramilitare të Serbisë, të instaluara në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Presidenti Thaçi.

Ai ka folur edhe për pasojat, në rast se nuk do të merrej ai vendim.

“Sot do të kishim një realitet të hidhur, mund të them edhe një pajtueshmëri ndërkombëtare me ‘status quo’-në e ndikimit dhe pranisë së Serbisë në territorin e Kosovës. Sot prania e Serbisë në atë pjesë është zero, me përjashtim të ndikimit politik apo vullnetar të qytetarëve e komunitetit serb. E ritheksoj, vet pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës, Parlament, Qeveri dhe institucione lokale, dëshmon se ata respektojnë institucionet, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ata janë qytetarë të Kosovës dhe ne do të jemi pranë tyre dhe do t’u shërbejmë gjithmonë”, ka përfunduar Thaçi.

Top Channel