Basha-Meta, “konsensus” edhe në Filadelfia

26/07/2016 00:00

Konventa amerikane, ku Hillary Clinton do të marrë zyrtarisht nominimin si kandidatja e parë grua për Presidencën e Shteteve të Bashkuara, ka bërë së bashku disa politikanë kryesorë të qeverisë dhe opozitës.

Pamjet e shpërndara nga Kuvendi kanë në vëmendje vetëm kryeparlamentarin Ilir Meta dhe janë vetëm dy fragmente, ku tregohet edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Por pamjet e shpërndara nga Partia Demokratike tregonin më shumë. Me zë dhe me figurë.

Konsensusi i Tiranës për Reformën në Drejtësi ishte pjesë e takimeve në Konventën e Filadelfias. Kur ia prezantoi Lulzim Bashës homologun suedez, Ilir Meta e shoqëroi prezantimin me komentin se prej socialdemokratëve suedezë ishte trajnuar si të luftonte për konsensusin.

Në forumin e udhëheqësve globalë, të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan, shqiptarët e qeverisë dhe opozitës janë takuar sërish me europarlamentarin Fleckenstein, që negocioi me ta për arritjen e konsensusit deri minutën e fundit.

Ky ishte një takim ku nuk munguan as fotografitë qeveri-opozitë dhe as batutat. Pandeli Majko e prezantoi Bashën si problemin dhe si zgjidhjen e tij, por Basha dëgjohet që i thotë Fleckensteinit se zgjidhja janë të gjitha palët, ndërsa problemi nuk ndodhej në Filadelfia, duke lënë të kuptohet se ai ishte Edi Rama.

“Reforma nuk ka armiq. Konsensusi ka disa armiq, por edhe kjo u zgjidh”, tha Lulzim Basha, i cili duket komod edhe mes socialistëve.

Top Channel