Policia: Respektoni rregullat. Përgjegjës, drejtuesit e mjeteve që vijnë nga jashtë

26/07/2016 00:00

Shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara vijojnë të mbeten shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda për jetën.

Sipas ekspertëve të policisë, çdo vit gjatë sezonit veror burim aksidentesh janë edhe emigrantët shqiptarë dhe shtetasit kosovarë, që vijnë për të kaluar pushimet.

Në bazë të analizave, kjo kategori drejtuesish mjetesh nuk zbaton rregullat e qarkullimit rrugor.

“Ka një moszbatim të normave të sjelljes nga këta përdorues të rrugës. Mund të themi se ka një liri veprimi, edhe pse rregullat janë njësoj si në vendet e tjera, ashtu dhe në Republikën e Shqipërisë. Jo vetëm shtetasit kosovarë, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë diku jashtë dhe kthehen në vendin e tyre janë shumë të çrregullt në drejtimin e mjeteve. Shumë nga ata janë ndëshkuar, shumë janë këshilluar, shumë debatojnë me punonjësit e policisë”, thotë Skënder Ismaili, shef i sigurisë rrugore në DPPP.

Në aksidentin e Gjirokastrës, ku humën jetën 3 persona dhe u plagosën disa të tjerë, mjeti tip “Nissan” me targa të Zvicrës drejtohej nga një shtetas kosovar.

Krahas këtij shqetësimi, emigrantët dhe shtetasit kosovarë përballen edhe me mungesën e sinjalistikës së duhur në akse të caktuara.

Nga ana tjetër, ekspertët apelojnë që drejtuesit e mjeteve të shmangin udhëtimet e gjata dhe përdorimin e celularëve gjatë drejtimit të mjetit.

Aksidentet janë shtuar me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në bazë të masave, vetëm gjatë fundjavës së kaluar policia ka vendosur mbi 500 mijë gjoba, si dhe ka arrestuar 20 persona.

Top Channel