Përplasja për 7 ligjet, a do të ketë seancë? Meta: Kalojnë me konsensus

26/07/2016 00:00

Valentina Leskaj nuk e mbylli seancën e 25 korrikut si seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar dhe për këtë kishte një arsye. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të “vetting”-ut brenda muajit korrik, për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga Bashkimi Europian.

Zyra e Tiranës nuk bëri komente rreth kësaj kërkese dhe gjatë ditës, asnjë prej kryetarëve të grupeve të mëdha parlamentare nuk konfirmoi se do të ketë një seancë deri në fund të korrikut. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” në mbrëmje, la të hapur dhe tha se do të respektojë çdo procedurë kushtetuese.

“Patjetër që ne do të fillojmë me këtë projektligj. Kam pasur rastin të flas edhe sot me zotin Basha. Jam në kontakt me sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, kam qenë në kontakt me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri. Dje e kam siguruar se edhe komisionerin Hahn që do të bëjmë çdo gjë që kjo frymë konsensusi të vazhdojë, sepse e tillë ka qenë marrëveshja edhe me miratimin e ligjeve. Parlamenti do të mblidhet në çdo moment, që ne do ta vlerësojmë të rëndësishëm. Të gjithë aktorët e Reformës në Drejtësi, vendas dhe ndërkombëtarë, duke nisur me mua si kryetar Parlamenti, zoti Rama si kryetar i Qeverisë dhe PS-së, zoti Basha si kryetar i opozitës dhe dy ambasadorët e nderuar që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, partnerët tanë kryesorë në këtë reformë. Në çdo moment e çdo sekondë, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për Shqipërinë”, është shprehur Meta.

Ndërkohë pasdite, Top Channel mësoi se anëtarët e Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi u njoftuan për mbledhjen që do të zhvillojë komisioni të mërkurën. Edhe pse ora nuk është caktuar, objektivi është i qartë: miratimi i projektligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pasi seanca do të jetë brenda kësaj jave.

Ndërkohë në mbrëmje, Fatmir Xhafaj tha se komisioni është në pritje të draftit të rishkruar mbi bazën e ndryshimeve të fundit kushtetuese. Sipas Xhafajt, ky është një draft i hartuar nga ndërkombëtarët dhe për të po punojnë ekspertët e “Euralius” dhe Drejtoria e Ligjshmërisë në Bruksel, si dhe “OPDAT”-i i Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Partia Demokratike nuk mori pjesë në asnjë nga mbledhjet e Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, ku u diskutuan 7 ligjet. E vetmja mbledhje që mori pjesë ishte ajo e miratimit konsensual të ndryshimeve kushtetuese.

Por miratimi i ligjeve nuk është vetëm çështje kohe. Siç thotë Edi Rama, kjo është edhe çështje votash, sepse 7 ligjet e para kërkojnë një shumicë prej 84 votash, të cilat mazhoranca i bën me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në një postim në “Facebook”, kryeministri nuk iu referua ndonjë situate konkrete, por parashikon rezistencë nga ata që u dorëzuan për reformën kushtetuese përballë presionit të brendshëm dhe ndërkombëtar.

“Ata do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë mundësi ta ndalin historinë e re të drejtësisë, që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut”, shkroi Rama.

Top Channel