Abuzimi me produktet e mishit, AKU: Ka patur raste

26/07/2016 00:00

Drejtuesit e Autoritetit  Kombëtar të Ushqimit pranojnë se ka pasur raste abuzive me kompanitë e prodhimit të nënprodukteve të mishit, të cilat kanë  hedhur në prodhim produkte të tërhequra nga tregu për shkak të përfundimit  të afatit të konsumit, por kanë qenë sporadike.

“Nga subjektet bëhet tërheqja e produktit pranë supermarketit. Bëhet vendosja në një vend të veçantë në magazinën e subjektit, më pas bëhet kërkesa drejtuar AKU, Inspektoriatit të Mjedisit dhe Drejtorisë së Tatimeve. Asgjësimi kryhet në prani të këtyre tre grupeve të inspektimeve. Produkti, pasi asgjësohet shkon në landfill”, thotë Armand Uruçi, drejtori i AKU-t në Tiranë.

Sipas Uruçit, tashmë subjektet janë ndërgjegjësuar pasi janë forcuar edhe kontrollet ndaj tyre duke ndjekur gjurmueshmërinë e produktit si dhe duke bërë krahasimin ndërmjet xhiros së tyre të deklaruar. Tërheqja e produkitit që ka skaduar në bazë të ligjit bëhet nga vetë subjekti, ndërsa asgjësimi në prani të tre institucioneve.

“Kemi patur dhe në të gjitha rastet është zbatuar ligji dhe janë vendosur penalitete përkatëse. Në rastet kur produkti ka qenë shumë i madh kemi patur edhe ndjekje penale për përfaqësuesin e subjektit. Ne ndjekim sistemin e gjurmueshmërisë në momentin që gjejmë një produkt të skaduar në cilindo market të Tiranës dhe përmes këtij sistemi shkojmë tek fabrika apo magazina përkatëse që ka shpërndarë këtë produkt”, thotë Uruçi.
 
Në raste të abuzimit, gjoba ndaj subjektit është përcaktuar duke filluar nga 3 milionë lekë.

Top Channel