Basha në Konventën e demokratëve në Filadelfia

26/07/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në Shtetet e Bashkuara me ftesë të Partisë Demokratike amerikane dhe Institutit Kombëtar Demokratik për të marrë pjesë në Konventën e Demokratëve në Filadelfia.

Lideri i opozitës u takua me drejtues të lartë të Partisë Demokratike amerikane, senatorë dhe kongresmenë të pranishëm në Konventë dhe ne forumet e shumta ku ai është ftuar si mik nderi.

Me herët Basha ishte i pranishëm në Forumin e Liderëve Botërorë me ftesë të Institutit Kombëtar Amerikan, NDI. Kreu i demokrateve u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Popullore Europiane, Antonio López-Istúriz.

Siç njofton Partia Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm i PPE-së vlerësoi rolin dhe kontributin e Bashës dhe Partisë Demokratike në realizimin e amendamenteve kushtetuese bazuar në standardet më të mira europiane.

Në takimin me eurodeputetin Knut Fleckenstein, Basha i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij të vyer për reformën në drejtësi.

Kreu i demokratëve u takua edhe me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, si dhe me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me ish–presidenten Atifete  Jahjaga me eurodeputeten znj. Tanja Fajon si dhe me ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Top Channel