ISIS, përgjegjësi i vrasjes së priftit në Francë. Reagon Papa Françesku

26/07/2016 00:00

Pas vrasjes së priftit 84-vjeçar në Rouen të Francës qëndron Shteti Islamik. Pretendimi i grupit xhihadist, i përcjellë më së pari nga gazetat e mëdha vendase, u konfirmua edhe nga Presidenti Francois Hollande.

“I ishin zotuar për besnikëri ISIS-it”, tha shefi i Elizesë duke iu referuar dy agresorëve, njëri nga të cilët thuhet të kishte në dorë një byzylyk elektronik.

“Përballemi të gjithë me të njëjtin grup, Shtetin Islamik që na ka shpallur luftë. Dhe ne, këtë luftë duhet ta fitojmë me çdo kusht, duke respektuar ndërkohë sundimin e ligjit”, tha Hollande.

Pengmarrja në kishe ishte episodi më i fundit i dhunshëm që trondit opinionin tashmë të brishtë francez. Dy agresorët i prenë fytin At Jacques Hamelit, e mbajtën nën kërcënimin e armëve edhe 3 persona të tjerë, ndër të cilët edhe murgesha. Një prej pengjeve është në gjendje kritike për jetën.

Papa Françesku reagoi shumë shpejt, duke e dënuar këtë akt absurd dhune, – siç e përshkroi, – që sjell vetëm dhimbje e tmerr. Vrasja barbare e priftit 84-vjeçar dhe i gjithë incidenti në vetvete u dënua ashpër edhe nga kryeministri francez Manuel Valls.

“E gjithë Franca dhe të gjithë katolikët janë të lënduar sot, – shkroi ai në “Twitter”. – Ne do të qëndrojmë të bashkuar”.

Presidenti Francois Hollande ka mbërritur ndërkohë në Saint-Etienne-du-Rouvray, ku po informohet nga policia mbi dinamikën e ngjarjes.

“Vajtoj për vuajtjet e njerëzve të mirë e i ftoj edhe jobesimtarët ta bëjnë një gjë të tillë”, tha kryepeshkopi i Roune-it, Dominique Lebrun. “Kisha katolike, – shtoi ai, – nuk ka armë tjetër përveç lutjes dhe predikimit të vëllazërisë mes njerëzve”.

Nuk ka ende asnjë të dhënë mbi identitetin e pengmarrësve, por Franca ka qenë në gjendje alarmi që prej sulmit të Nices ditën e festës kombëtare të Bastijës, kur 31-vjeçari tunizian Mohamed Bouhlel përplasi një kamion mbi turmën e njerëzve që kremtonte, duke vrarë 84 vetë.

Dy persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me sulmin e 14 korrikut, teksa hetuesit po përpiqen të zbulojnë se kush i siguroi agresorit mbështetje logjistike.

Top Channel