Francë, ISIS sulmon edhe në kishë. Vritet prifti, ekzekutohen terroristët

26/07/2016 00:00

Nuk ka qetësi për Francën. Një pengmarrje është episodi më i fundit i dhunshëm që trondit opinionin tashmë të brishtë francez, skenë e së cilës është bërë një kishe pranë Rouenit, në veri të vendit.

Një prift ka humbur jetën në sulmin e kryer nga dy persona, të ekzekutuar që të dy nga policia, pasi mbajtën e mbajtën At Jacques Hamelin nën kërcënimin e armëve, së bashku me 4 persona të tjerë, ndër të cilët dy murgesha dhe dy besimtarë.

I menjëhershëm reagimi i policisë franceze, e cila rrethoi zonën dhe duket se nuk ka humbur kohë me negociata, por ndërhyri ashpër duke vrarë dy agresorët. Mediat franceze raportuan se forcat speciale ndërhynë sapo mbërritën në zonë dhe lajmëruan se situata përfundoi, pasi u dëgjuan krisma në kishë. Një prej pengjeve është në gjendje kritike për jetën. Gazeta franceze “Le Figaro” thotë se sulmin e ka marrë përsiper Shteti Islamik.

Papa Françesku reagoi shumë shpejt duke e dënuar këtë akt absurd dhune, – siç e përshkroi, – që sjell vetëm dhimbje e tmerr. Vrasja barbare e priftit 84-vjeçar dhe i gjithë incidenti në vetvete u dënua ashpër edhe nga kryeministri francez Manuel Valls.

“E gjithë Franca dhe të gjithë katolikët janë të lënduar sot, – shkroi ai në “Tëitter”. – Ne do të qëndrojmë të bashkuar”.

Presidenti Francois Hollande ka mbërritur ndërkohë në Saint-Etienne-du-Rouvray, në Normandi, ku po informohet nga policia mbi dinamikën e ngjarjes.

“Vajtoj për vuajtjet e njerëzve të mirë e i ftoj edhe jobesimtarët ta bëjnë një gjë të tillë”, tha kryepeshkopi i Roune-it, Dominique Lebrun. “Kisha katolike, – shtoi ai, – nuk ka armë tjetër përveç lutjes dhe predikimit të vëllazërisë mes njerëzve”.

Nuk ka ende asnjë të dhënë mbi identitetin e pengmarrësve, por mediat franceze raportojnë se bëhet fjalë për persona me probleme me mendore, ndërsa nuk ka asnjë motiv për gjestin e tyre makabër. Franca ka qenë në gjendje alarmi që prej sulmit të Nices ditën e festës kombëtare të Bastijës, kur 31-vjeçari tunizian Mohamed Bouhlel përplasi një kamion mbi turmën e njerëzve që kremtonte, duke vrarë 84 vetë.

Dy persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me sulmin e 14 korrikut, teksa hetuesit po përpiqen të zbulojnë se kush i siguroi agresorit mbështetje logjistike.

Top Channel