Sanders: Clinton duhet të jetë Presidentja e ardhshme e SHBA-ve

26/07/2016 00:00

Bernie Sander iu kërkoi demokratëve që të mbështesin Hillary Clinton drejt Shtëpisë së Bardhë, në një fjalim në konventën e Partisë Demokratike. Në momentin që ai doli në skenë, ovacionet shpërthyen dhe nuk u ndalën pë 3 minuta.

“Hillary Clinton duhet të jetë Presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Sanders. Tensionet në konventën e demokratëve ishin të dukshme me mbështetësit e Sanders që thërrisnin emrin e tij dhe vërshëllenin atë të Clinton.

Por, senatori kërkoi që demokratët të bëhen bashkë dhe të mposhtin “demagogun” Donald Trump, i cili sipas tij i ndan amerikanët. “Clinton e ka kuptuar që diversiteti është një nga pikat tona më të forta dhe jo e kundërta”, vijoi Sanders.

Ai apeloi tek të gjithë delegatët dhe mbështetësit që të bëjnë gjithçka kanë mundësi që Clinton të zgjidhet Presidente e Shteteteve të Bashkuara.

Konventa e demokratëve i filloi punimet mes një skandali që deri tani ka çuar në dorëheqjen e kryetares së partisë si dhe në akuza për përfshirje të shërbimeve sekrete ruse në vjedhjen e email-eve të partisë që u bënë publike nga Wikileaks.

Top Channel